Viti pas "kthesës epokale
2 Mars 2023Para pak më shumë se një viti kancelari gjerman, Olaf Scholz mbajti një fjalim në Bundestag, që ndoshta do të përcaktojë edhe të gjithë mandatin e tij si kancelar, ku përdori fjalën "kthesë epokash". Ky fjalim, një reagim pas fillimit të luftës në Ukrainë kishte si bazë njoftimin, se Bundeswehri gjerman do të merrte një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për armatimin. Më 3 qeshor CDU/CSU iu bashkua partive qeverisëse për të ndryshuar kushtetutën dhe lejuar marrjen e borxhit shtesë.
Kritika nga CDU: "Ushtria ka humbur 1 vit"
Opozita konservatore CDU/CSU kritikon një vit më pas, se ushtria gjermane nuk ka përfituar shumë nga ky fond i posaçëm. "Bundeswehri ka deficite të mëdha dhe kthesa epokale nuk ka filluar ende tek ajo", bën të ditur Roderich Kiesewetter, zëdhënës për çështje të politikës së jashtme të CDU-së për gazetën Augsburger Allgemeine. "Trupa ka humbur një vit dhe është më dobët se në gusht 2022."
Por kryetarja e komisionit parlamentar të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP)kundërpërgjigjet në Deutschlandfunk - se në 16 vitet që qeverisi CDU/CSU nën kancelaren Merkel duke pasur edhe Ministrinë e Mbrojtjes nën vete, "nuk është bërë asgjë" për modernizimin e ushtrisë. Marie-Agnes Strack-Zimmermann rendit sukseset e qeverisë së koalicionit në 1 vit: porosi të avionëve luftarakë F-35 dhe helikopterëve të rëndë nga SHBA si edhe një ofensivë digjitalizimi për modernizimin e forcave të armatosura. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur, se janë parashikuar 30 miliardë nga 100 miliardë eurot në dispozicion për Bundeswehrin.
Nga aleatët europianë, Gjermania është kritikuar se shumë porosi të mëdha i janë dhënë në SHBA. Por në fund të fundit një pjesë e madhe e këtij fondi të posaçëm do të qëndrojë në Gjermani, sepse vetë Gjermania ka një industri të fortë armatimi. Marie-Agnes Strack-Zimmermann shprehet, se 100 miliardë eurot nuk mund të shpenzohen kaq shpejt në 1 vit. Prodhimi i armatimeve me teknologji të lartë kërkon kohë. Avionët e parë luftarakë amerikanë F-35 psh do të jenë gati vetëm në vitin 2026.
Sasia e parave për ushtrinë zvogëlohet automatikisht
Koha ndërkohë ikën dhe 100 miliardë eurot bëhen më pak edhe pa i shpenzuar. Sipas të dhënave të Rafael Loss, ekspert i mbrojtjes në Këshillin Europian të Marrëdhënieve me Jashtë, "European Council on Foreign Relations" (ECFR), fillimisht u vlerësua se vetëm 8 miliardë euro nga fondi i posaçëm do të ishin si norma interesi për këtë borxh të qeverisë. Por për shkak të rritjes së normave të interesit kjo shumë është rritur në 13 miliardë euro. Pra mbeten 87 miliardë për ushtrinë. Kësaj i shtohet edhe inflacioni dhe tvsh-ja kështu që sipas llogaritjes së të gjitha shpenzimeve në fund mbetet vetëm 50-70 miliardë euro për ushtrinë- "Sa më gjatë që kjo para qëndron diku e pavënë në përdorim aq më shumë do ta brejnë faktorë si inflacioni apo normat e interesit", shpjegon Loss për DW. Loss është i mendimit se qeveria duhet të kishte vepruar më shpejt. "Në një lloj kuptimi viti i kaluar është vit i humbur për Bundeswehrin." Me ardhjen në post ministri i ri i Mbrojtjes, Boris Pistorius po bën presion që të ketë më shumë temp, si psh tek zëvendësimi i tankeve Leopard. Pistorius kërkon tani më shumë fonde për ushtrinë gjermane, duke theksuar, se fondi i posaçëm nuk mjafton për të mbuluar nevojat e ushtrisë.
Tone të reja nga industria e armatimit
Ushtria gjermane prej shumë vitesh vuan nga mungesa e efektivitetit në porositjen dhe sigurimin e armatimit dhe pajisjeve të nevojshme. Vitin e kaluar kjo ishte një ankesë e njohur e Hans Christoph Atzpodien, kreut të Shoqatës Federale të Industrisë së Armatimit dhe Mbrojtjes, BDSV, pjesë e së cilës janë të gjithë furnizuesit e mëdhenj gjermanë të armatimit të rëndë si Krauss-Maffei Wegmann, prodhuesit të tankeve Leopard 2. Atzpodien argumentoi se kolosi burokratik i sektorit të sigurimit të pajisjeve vuan nga një "perfeksionzëm" i rregulloreve. Kjo bën që trupa të mos marrë atë që dëshiron. Kjo pikë kritike duket se ndërkohë është zgjidhur. Edhe Atzpodien ia konfirmoi këtë Deutsche Welles. Tone të reja dëgjohen nga industria e armatimit. "Jemi shumë optimistë", tha kreu i BDSV, se procese që para së gjithash u bllokuan nga burokracia buxhetore "tani po vihen në lëvizje në përmasën e duhur."
Kurse eksperti Rafael Loss është i mendimit, se kompleksiteti i procedurave të dhënies së porosive dhe sigurimit të pajijseve është një problem që nuk zgjidhet aq lehtë. Ka "një ekosistem shumë kompleks mes parlamentit si vendimmarrës, Ministrisë së Mbrojtjes, faktorëve të prodhimit dhe forcave të armatosura", thotë ai. Pas Luftës së Ftohtë në Bundeswehrin gjerman u krijua një kulturë që shpejtësia nuk ka prioritet."Ka pasur një aversion të lartë ndaj rrezikut, se mos diçka bëhej gabim dhe ndoshta frika se po shpenzohet shumë para për t'i bërë gjërat të lëvizin më shpejt përpara" shprehet Loss. Kësaj i shtohen edhe interesat rajonale të deputetëve në vendimet për dhënien e porosive - psh deputetët bavarezë këmbëngulën që sipërmarrje bavareze të aviacionit luftarak të marrin porosi të caktuara. "
Me fjalë të tjera: "Kthesa epokale" e Scholzit qëndron tek marrjen e kthesës së kolosit - pjesë e të cilit janë ushtria gjemane, kultura e porositjes dhe burokracia e krijuar tek ajo. Një vit me sa duket nuk mjafton që ky kolos të marrë kthesën.