1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizioni i Obama-s për një botë pa armë bërthamore

Angelina Verbica6 Prill 2009

Vendimtare do të jetë, nëse Obama do t´ia arrijë që të instalojë një sistem efikas kontrolli ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/HR37
Barack Obama në Pragë (05.04.2009)Fotografi: AP

Në shtypin gjerman të së hënës (06.04) komentohet fjalimi i Presidentit të SHBA-së Barack Obama në Pragë, ku ai bëri thirrje për çarmatimin atomik.

Gazeta "Berliner Zeitung" komenton: "Nga Praga të dielën u dërgua një sinjal i fortë. Ky sinjal do të kish qenë edhe më i fortë, nëse Obama do të deklaronte, se SHBA-ja do të heqë dorë prej ndërtimit të sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore. Kjo do t´ia bënte edhe më të lehtë Rusisë që të hyjë në bisedimet për çarmatimin atomik. Sinjali do të kish qenë edhe më i fortë, nëse NATO në fundjavë në samitin e jubileut në Strasburg/Kehl dhe në Baden-Baden do t´i kishte përvetësuar përfytyrimet e Obama-s dhe do t´i kishte mbështetur ato hapur. Kjo do të ishte një detyrë e vërtetë për organizatorët e samitit Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy. Për fat të keq ata iu shmangën kësaj detyre."


"Westdeutsche Zeitung" vëren: "Gatishmëria e presidentit amerikan, për ta ratifikuar më në fund marrëveshjen e OKB-së për ndalimin e testeve të armëve bërthamore është sensacioni i vërtetë i fjalimit të tij të djeshëm - pavarësisht se për këtë është e vështirë të bëhen për vete Kina, India, Pakistani, Izraeli, Irani dhe Koreja e Veriut. Por vendimtare do të jetë, nëse Obama do t´ia arrijë që të instalojë një sistem efikas kontrolli ndërkombëtar, që të mund të mbikqyrë plotësisht përhapjen e lëndëve djegëse atomike. Problemi është: se në qoftëse SHBA, Rusia, apo edhe Kina do të duan që atyre t´u garantohen të drejta të veçanta në këtë iniciativë, atëherë ajo është e destinuar të dështojë qysh në fillim."

Autor:Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi:Angjelina Verbica