1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vjenë: Arsyet e anulimit të koncerteve të Taylor Swift

8 Gusht 2024

Tre koncerte të anuluara të Taylor Swift në Austri, disa arrestime dhe një zhgënjim i madh i tifozëve të këngëtares. Dy djem të rinj donin të kryenin një sulm në Vjenë.

https://p.dw.com/p/4jGsY
Taylor Swift duke performuar në skenë në Varshavë
Taylor Swift në skenë, koncerti në VarshavëFotografi: Antonio Byszewski/Fotonews/Forum/IMAGO

Sipas autoriteteve të sigurisë ende ekziston një rrezik abstrakt. Ajo që dihet deri tani është, se autoritetet e sigurisë në Austri, sipas të dhënave të tyre, kanë shmangur një sulm terrorist ndaj tre koncerteve ndërkohë të anuluara të yllit të muzikës pop, Taylor Swift. Dy të pandehurit kishin planifikuar të vrisnin sa më shumë njerëz të qe e mundur përpara stadiumit Ernst-Happel në Vjenë.

Çfarë dihet për të pandehurit?

Një 17 vjeçar dhe një 19 vjeçar, sipas të dhënave të autoriteteve të sigurisë, kishin planifikuar aktin. Të dy u arrestuan të mërkurën (08.08.2024). Të dhënat vendimtare kanë ardhur nga "shërbimet sekrete ndërkombëtare", tha ministri i Brendshëm autriak Gerhard Karner. Fillimisht informacioni i referohej vetëm një dorasi. Por nga të dhëna të tjera të autoriteteve të sigurisë policia hasi në një rrjet të njohur islamist. Krahas dy të pandehurve janë kërkuar persona të tjerë. 19 vjeçari duket të jetë një simpatizant i "Shtetit Islamik". Ndërkohë ai i ka pranuar planet. Ai u arrestua në Ternitz, një komunë rreth 80 km në jug të Vjenës. Në shtëpinë e tij u konfiskuan lëndë kimike dhe pajisje teknike. 19 vjeçari duhet të jetë radikalizuar në internet dhe ka ngarkuar në një faqe online betimin ndaj kreut të grupit terrorist të Shtetit Islamik. Austriaku me rrënjë familjare në Maqedoninë e Veriut më 25 korrik anuloi kontratën e punës duke deklaruar, se ka plane të mëdha, vë në dukje policia. Ai konsiderohet si dorasi kryesor.

I pandehuri i dytë u ndalua nga forcat speciale të policisë jo larg arenës Ernst-Happel. 17 vjeçari që prej disa ditësh punonte për një firmë, që të enjten në mbrëmje do të ofronte në stadium ndër të tjera pije dhe ushqime. Sipas agjencisë së lajmeve AFP ai është një austriak me prejardhje turko-kroate. Deri tani ai ka refuzuar të deponojë. Por në banesën e tij janë gjetur materiale të milicëve të Shtetit Islamik si dhe të rrjetit terrorist Al-Kaida. Para pak kohësh ai është ndarë nga e dashura e tij. Të dy të pandehurit kanë pësuar një ndryshim të dukshëm social, thuhet nga hetuesit. Eshtë ndaluar edhe një 15 vjeçar me prejardhje turke, i cili po merret në pyetje. Ai të paktën ka pasur dijeni për planet terroriste. Objekt i hetimeve është se deri në çfarë mase ai ka qenë i involvuar.

Personeli i shërbimit duke hequr barrierat pas anulimit të koncertit në stadiumin Ernst Happel në Vjenë
Personeli i shërbimit duke hequr barrierat pas anulimit të koncertit në stadiumin Ernst Happel në Vjenë Fotografi: Florian Wieser/APA/dpa/picture alliance

Çfarë kanë pasur në plan dy të pandehurit?

Dy të pandehurit nuk kanë pasur bileta për koncertet e planifikuara për të enjten, të premten dhe të shtunën, venë në dukje autoritetet. Plani i tyre ka qenë, që të enjten ose të premten përpara stadiumit Ernst-Happel të vrasin sa më shumë njerëz me thika dhe pastaj të vrisnin edhe veten duke shpërthyer lëndë plasëse. "Situata ishte serioze, situata është serioze. Por ne mund të konstatojmë edhe se: mundi të parandalohet një tragjedi", tha ministri i Brendshëm Karner. Stadiumi Ernst-Happel ka një kapacitet me rreth 51.000 vende dhe të gjitha ishin shitur për koncertet. Gjithsej priteshin deri në 200.000 tifozë të këngëtares. Mijëra pa bileta donin të mblidheshin përreth arenës, ashtu si edhe në koncertet në Mynih dhe në Hamburg.

Përse u anuluan koncertet?

Tifozë të Taylor Swift të mbledhur para stadiumit në Vjenë
Tifozët e mbledhur para stadiumit Ernst Happel në VjenëFotografi: Eva Manhart/APA/picturedesk/picture alliance

Organizatori i koncerteve Barracuda Music të mërkurën (07.08.2024) shkruajti në Instagram, se nuk ka alternativë tjetër, veçse t'i anulojë koncertet për arsye sigurie. Ministri i Brendshëm Karner tha, se rreziku nga ekstremizmi islamist është rritur dukshëm pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael. Ndaj Austria në vjeshtë e ka rritur paralajmërimin nga katër në shkallën e dytë më të lartë për rrezik nga terrori. "Si rrjedhojë kam mirëkuptim për vendimin e organizatorëve, që e anuluan koncertin", tha Karner. Ai theksoi: "Një tragjedi mundi të parandalohej." Nga arrestimet është minimizuar kërcënimi konkret, por ende ekziston një kërcënim abstrakt. Anulimi ishte vendim i organizatorit.

Edhe kancelari i Austrisë Karl Nehammer e mbështeti vendimin për anulimin e koncerteve: "Organizatori, sipas mendimit tim, ka vepruar me shumë përgjegjësi dhe arsye." Pa ndërhyrjen në kohën e duhur të hetuesve kërcënonte një "dëm antihuman". Ai deklaroi gjithashtu, se do të mbledhë këshillin kombëtar të sigurisë. Nehammer sërish kërkoi, që të zgjerohen mundësitë teknike të vrojtimit kryesisht në shërbimet mesenxher. Deri tani parlamenti e ka penguar këtë.

Si ka reaguar Taylor Swift?

Tifozë të Taylor Swift të grumbulluar në kodrën olimpike para Parkut Olimpik në Mynih
"Swifties" nuk kanë nevojë për bileta: Në koncertet e këngëtares nga SHBA mblidhen shumë tifozë të saj, si këtu në Mynih, edhe jashtë arenave përreth.Fotografi: Felix Hörhager/dpa/picture alliance

Deri tani këngëtarja nuk ka reaguar. Se ku ndodhej ajo në kohën që u anulua koncerti, është e paqartë. Në postimin e saj të fundit në Instagram ajo u referohej tre koncerteve në Varshavë. Turi aktual i saj shtrihet në gati dy vjet. Shtatë koncerte janë zhvilluar ndërkohë në Gjermani.

A do të anulohen koncerte të tjera?

Etapa tjetër e turit tëTaylor Swiftpërfshin koncertet në stadiumin Wembley në Londër. Këto koncerte përmbyllin turin e saj në Europë. Gjithsej janë planifikuar 150 koncerte në mbarë botën nga marsi 2023 deri në dhjetor 2024, 51 vetëm në Europë e nga ato shtatë në Gjermani. Sekretarja britanike e shtetit për Policinë Diana Johnson tha, se policia e Londrës do të verifikojë të gjitha informacionet që posedon. Një zëdhënës i Metropolitan Police i pyetur nga agjencia gjermane e lajmeve DPA tha, se nuk ka të dhëna për ndonjë referencë domethënëse me Swift, ne do ta mbajmë të informuar opinionin publik. Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan tha, se qyteti do t'u përmbahet koncerteve të planifikuara me Swift. "Ne kemi shumë përvojë në shoqërimin policor të veprimtarive të tilla", tha Khan.