Vritet në Prishtinë, drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizmit
14 Qershor 2012Dino Asanaj është therur me thikë disa herë nga persona të panjohur në zyrën private të tij në një lagje në periferi të Prishtinës, e njohur si "fshati ndërkombëtar". Mehmet Maxhuni, mjek nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, konfirmoi se Dino Asanaj, u soll në spital me plagë të rënda therjeje me thikë dhe me gjithë ndërhyrjen kirurgjikale, ai nuk ka mundi t'u mbijetojë plagëve. Zyrtarë të policisë së Kosovës, thonë se tash për tash nuk kanë ndonjë person të dyshuar në lidhje me këtë vrasje, sikundër nuk dihen motivet.
Qeveria e Kosovës e dënoi ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. "Ky veprim qyqar është një veprim i rëndë kundër individit dhe shoqërisë kosovare, kundër institucioneve demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha është një veprim kundër funksionimit të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës" - thuhet në një njoftim të shkruar nga qeveria e Kosovës. Ekzekutivi i vendit, kërkon nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.