Vuçiç: Serbisë i është mohuar integriteti territorial
9 Dhjetor 2024Në numrin e fundjavës, e përditshmja gjermane Berliner Zeitung i kushton një artikull fjalimit të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç gjatë një takimi (4.12.) në Cyrih të Zvicrës organizuar nga revista Weltwoche.
"Zgjidhja e konfliktit me Kosovën është integrimi i Ballkanit në BE"
Vuçiç ka kritikuar ndërhyrjen e NATO-s të viteve 1998/99 dhe ka bërë krahasime me krizën në Ukrainë. „Argumentet në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës kuptohen mirë në Serbi, por të njëjtat parime iu mohuan Serbisë në vitin 1999,“ ka deklaruar ai. Ai ka kujtuar se NATO kishte vepruar „pa mandat të OKB-së dhe jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare“ për të „mundësuar shkëputjen e Kosovës nga territori serb.“
Me pranimin e plotë të rajonit të Ballkanit në BE, mund të zgjidhet problemi me Kosovën, citon Berliner Zeitung Vuçiçin. Sipas saj, Vuçiç ka përmendur shembuj të suksesshëm nga historia më e re evropiane, si Tirolin e Jugut, Alzasën ose marrëdhënien moderne gjermano-polake, të siguruar nga heqja dorë përfundimtare e Gjermanisë nga territoret lindore në marrëveshjen 4+2 të vitit 1990. Vuçiç theksoi se përgjegjësit politikë si Macron, Scholz apo von der Leyen, por edhe Putin, duhet ta dëshirojnë këtë duke pasur parasysh situatën në Ukrainë.
Modelet që sugjeron Vuçiçi
Tiroli i Jugut është një rajon autonom në Itali, i banuar kryesisht nga gjermanofolës, ku konflikti për identitetin dhe të drejtat kulturore u zgjidh përmes një autonomie të zgjeruar në vitet 1970. Alsasa, një rajon në Francë me histori të gjatë konfliktesh mes Gjermanisë dhe Francës, u bë simbol i pajtimit pas Luftës së Dytë Botërore. Integrimi i tij në Francë me respekt për kulturën dhe gjuhën vendase tregon suksesin e dialogut dhe bashkëpunimit evropian.Ndërsa marrëveshja Dy plus katër (1990) u nënshkrua mes dy Gjermanive dhe katër fuqive aleate për të lejuar ribashkimin e Gjermanisë, duke garantuar heqjen dorë nga pretendimet territoriale mbi zonat lindore.
"Sanksionet ndaj Rusisë dëmtojnë ekonominë gjermane"
Presidenti serb ka nënvizuar rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në Europë dhe potencialin e saj historik si ndërmjetësuese. „Gjermania, për shkak të historisë së saj moderne, është e destinuar të marrë një rol strukturues në këtë diskutim.“ Ai gjithashtu ka theksuar efektet negative të politikave sanksionuese: "Pakot e shumta të sanksioneve dëmtojnë më shumë sesa ndihmojnë, veçanërisht industritë evropiane si industria e automobilave në Gjermani."
Për perspektivat ekonomike të Serbisë, Vuçiç ka folur me optimizëm dhe ka përmendur rëndësinë strategjike të rezervave të litiumit në vend: "Nuk do të ketë shitje të lëndës së parë për ofertuesin më të lartë.“ Ai ka bërë të ditur se Serbia planifikon „të zhvillojë të gjithë zinxhirin e vlerës, nga nxjerrja deri te prodhimi i baterive brenda vendit.“