1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vështrim brenda RDGJ

Lindita Arapi2 Janar 2012

Më 2 janar 1992 u hapën për herë të parë aktet e sigurimit të shtetit të ish-Gjermanisë lindore. Për shumë vetë hapja e tyre nënkuptoi shok, për të tjerë çlirimin.

https://p.dw.com/p/13ccC
Akte të Stasit
Akte të StasitFotografi: picture alliance/dpa

Është trashëgimia e një shteti të shuar. 1,6 milionë fotografi, diapozitivë dhe negativë, 111 kilometra rafte me dosje, dhe 15.500 thasë me letra të grisura gjenden në arkivat e autoritetit federal për dosjet e Stasit (Shtazit) në Berlin. Sigurimi i shtetit të RDGJ-së përgatiti dosje për mbi gjashtë milionë qytetarë gjermanë.

Para 20 vitesh, më 2. Janar 1992, mund të shiheshin për herë të parë zyrtarisht dosjet e Stazit. Terrenin për këtë e përgatiti një ligj, i ashtuquajturi ligji për dosjet e Stasit, i cili ishte futur pak më parë në fuqi dhe rregullon deri më sot trajtimin e dosjeve të sigurimit të shtetit. Ky ligj nuk duhej të mundësonte vetëm ballfaqimin me të shkuarën e RDGJ-së, por do të merrte në shqyrtim edhe punonjësit e shërbimit publik, nëse ata kishin qenë  pjesë e sistemit informues të Stasit. Në vitin 1991 ky ligj u ripunua disa herë.

Lotë dhe ironi

Lutz Rathenow ishte ndër të parët që pa dosjen e tij në vitin 1992. Shkrimtari dhe poeti gjermanolindor kishte rënë në sy të autoriteteve për shkak të deklaratave të tij kritike. Në vitin 1976 ai u arrestua, ndërsa në 1977 u përjashtua nga Universiteti i Jenës. Ai kujton se e ka pritur me shumë interes 2 Janarin. "Doja të bëhej më në fund publike, se cila është  e vërteta." Dita e hapjes së dosjeve në Gjermani shpëtoi edhe shumë intelektualë nga fajësimet dhe thashethemet, thekson ai.

Poeti kujton se çfarë ndjeu kur pa dosjen e tij. "Ajo që më ra ndër mend në janar 1992 ishte se kjo është njolla e gishtërinjve të pushtetit të RDGj-së. Kjo është ana e keqe e këtij sistemi, një ditar i brendshëm i ushtrimit të pushtetit. Ato janë më shumë se sa dosje, janë psikologjia e destruktivitetit specifik të regjimit."

Shkrimtari Lutz Rathenow kujton se në një tavolinë madje u derdhën lot. Bashkëshorti i Vera Lengsfeld, opozitares së atëhershme gjermanolindore dhe sot politikane në CDU, kishte qenë informant i regjimit. Ndërsa në një tavolinë tjetër dikush qeshte me ironi, sepse punonjësit e sigurimit nuk zotëronin mirë gramatikën gjermane.

Ish-ministria e Sigurimit të RDGJ
Ish-ministria e Sigurimit të RDGJFotografi: picture alliance/dpa

Edhe Ulrike Pope bën pjesë ndër të parët persona që panë dosjet në ditën e hapjes së tyre më 2. Janar 1992. Aktivistja për të drejtat e njeriut nga Gjermania lindore kujton se iu vunë përpara 40 dosje ku ndodheshin raportime të detajuara nga mbikqyrja që i ishte bërë asaj dhe familjes së saj. "E habitshme qe për mua numri i informatorëve, pra që qenë më shumë se sa e kisha menduar unë, tjetra ishte intensiteti i observimit, kishte qindra protokollë observimi, mbishkrimi në videot. Në banesën përballë ishte vendosur një videokamea që filmonte në dritaren tonë. Po ashtu në derën e shtëpisë ishte vendosur një aparat që regjistronte këdo që hynte në shtëpinë tonë. E çuditshme ishte edhe plani që bëhej për çdo vit, se çfarë strategjie do të ndiqej vitin e ardhshëm."

Kapitull i papërfunduar

Kapitulli i RDGJ-s dhe dosjeve të Stasit, edhe njëzet vjet pas hapjes së tyre konsiderohet ende i pambyllur. Për shkrimtarin Rathenov dosjet duhet të mbeten të hapura, që vetë njerëzit ta mbyllin kapitullin e RDGj-s. Sipas Rathenov ballafaqimi me të shkuarën e regjimit të RDGJ-s do ta zgjasë deri në vitin 2035/36. Për shkrimtarin një gjë është e qartë: "Për të kuptuar motivet e këtij sistemi duhet të lexosh dosjet, por ato duhen lexuar edhe për të kuptuar se si funksionojnë sisteme të tilla sot... Dosjet janë modele të shtrembërimit të realitetit, një organizim i teknikave të demagogjisë e shtrembërimit. Ato ofrojnë një psikologji të pushtetit që fshihet pas qëllimeve të mira, dhe kjo psikologji bën të kuptosh të keqen që fshihet aty brenda."

Edhe aktivistja Ulrike Poppe mendon se nuk ka ardhur fundi i rishikimit të së shkuarës së RDGJ-s. "Në histori nuk vjen momenti, kur mund të thuash, po, çdo gjë është rishikuar."

Autor: Arne Lichtenberg/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi