1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wagner në version rap

Christoph Richter / Eliana Xhani26 Janar 2013

Në vitin e Wagnerit 2013, fondacioni Fairplay ka shpallur një konkurs që synon të familjarizojë të rinjtë dhe fëmijët me muzikën e tij. Thjesht publicitet apo përpjekje serioze për edukim muzikor të të rinjve?

https://p.dw.com/p/17RwJ
Zum Wagner-Jahr 2013 hat die Fairplay-Stiftung einen Wettbewerb ausgerufen, bei dem sich unsere Jüngsten dem Komponisten Wagner rappenderweise nähern sollen. zugeliefert von: Conny Paul
Wagner goes RapFotografi: Fairplay Stiftung

A mund të imagjinoni veprat e kompozitorit Richard Wagner si "Meistersinger", "Lohengrin" apo "Götterdämmerung" në versionin rap? Vështirë se kjo do t'i kishte pëlqyer vetë kompozitorit. Dhe për puristët e Wagnerit kjo është ndoshta një formë torture e padurueshme intelektuale. S'ka rëndësi, thotë stërmbesa e tij Katharina Wagner, bashkëdrejtuese e festivalit të Bajrojtit. Bashkë me fondacionin "Fairplay", i cili sipas të dhënave të veta synon të përcjellë vlera dhe përmbajtje kulturore, përpiqet të sjellë pranë të rinjve nga 11 deri 20 vjeç, me anë të një konkursi, veprën e Richard Wagnerit. Për të marrë pjesë në konkurs të rinjtë duhet të përpunojnë një tekst nga një vepër e Wagnerit sipas stilit të muzikës së Bushidos apo Kanye West dhe ta dorëzojnë për konkurim në formë videoje ose CD-je.

Wagner goes Rap
Wagner goes RapFotografi: Fairplay Stiftung

Mësim muzike ndryshe

"E gjitha kjo ngre një urë të bukur mes muzikalitetit, ndjenjës për ritmin dhe veprës së Richard Wagnerit", thekson Katharina Wagner, e cila e sheh veten si administratore të veprës dhe trashëgimtare të klanit Wagner. Ndëkohë që disa e kritikojnë projektin si reklamë për Wagnerin të përshtatur për fëmijë, dhe e akuzojnë Katharina Wagnerin se synon vetëm një efekt të shpejtë publicitar, të tjerë shohin një përpjekje mjaft praktike për t'i afruar fëmijët me veprën komplekse të Wagnerit. "Kështu fëmijët marrin guxim të merren me këto tekste", thekson mësuesja e muzikës nga Berlini Friederike Fischer. Prej shumë vitesh ajo punon për të bërë të njohur për fëmijët dhe të rinjtë Wagnerin dhe kompozitorë të tjerë klasikë, në shkollën Birger-Forell në Berlin-Schöneberg. Por ky është vetëm fillimi. Në mënyrë që interesimi të vazhdojë është e paevitueshme një vizitë në opera, thotë Fischer, pasi "fëmijët duhet të njohin patjetër origjinalin."

Katharina Wagner
Katharina WagnerFotografi: Fairplay Stiftung

Muzika rap si reklamë për Wagnerin

Por organizatorët nuk e shohin kaq ngushtë, përkundrazi: në sytë e tyre muzika rap është një formë e përsosur arti, një stil ideal muzikor, që u mundëson veçanërisht të rinjve të merren në mënyrë krijuese dhe zbavitëse me tekstet e Wagnerit. Drejtues i projektit është Michael Sens, ai ka studiuar në Berlinin lindor në shkollën e lartë të muzikës Hanns Eisler, violinë dhe kanto. Sipas tij gati të gjithë mund të bëjnë muzikë rap. "Nëse dikush do të mësojë violinën duhet të fillojë në moshën 6-vjeçare dhe nuk mbaron edhe kur të jetë 60 vjeç." Por një rapper mund të marrë thjesht një muzikë, të vendosë mesazhin e tij dhe ja ku kënga është gati. "Në këtë rast nuk nevojitet parapërgatitje e madhe dhe kjo u pëlqen shumë të rinjve." Në fund të fund synimi është të ngjallet interesi i fëmijëve për një muzikë, me të cilën në shumicën e rasteve nuk janë të familjarizuar.

Drejtuesi i projektit Michael Sens
Drejtuesi i projektit Michael SensFotografi: Fairplay Stiftung

Sipas Michael Sens, e bukura e këtij projekti qendron edhe në faktin se me këtë aksion mund të entuziasmohen për Wagnerin jo vetëm fëmijët por edhe prindërit e tyre. Për ta muzika e Wagnerit është po aq e panjohur sa tingulli i këngës së një bariu mongolez.

Misioni: edukim muzikor

Një konkurs rap-i mund të jetë një element i rëndësishëm në edukimin muzikor, një nxitje për mësim krijues. Kujtojmë këtu dirigjentin Leonard Bernstein, një pionier në reklamën për muzikën klasike. Që në vitet 1970 dhe 1980 ai i pati kthyer provat e përgjithshme publike në mbrëmje të vogla në të cilat u servirte në mënyrë argëtuese spektatorëve vepra të vështira.

Fituesi i konkursit "Wagner Rap" do të fitojnë një seminar me rapper-in nga Hamburgu "Das Bo", i cili do ta prodhojë këngën në kushte profesionale. Por se si duhet të jenë konkretisht këngët rap, duket se iniciatorët nuk e dinë. Ndoshta kjo është një nga arsyet se përse deri tani nuk është paraqitur ende asnjë kandidat. Konkurrimi mbyllet në 15 shkurt dhe ndoshta deri atëherë punët do të kenë ndryshuar.