1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wagner, Speer, Bechstein: Ndihmësit kulturorë të Hitlerit

24 Korrik 2023

Qarqe kulturore si familja Wagner nga Bayreuthi i hapën rrugën Adolf Hitlerit shumë kohë para se të vinte në pushtet në vitin 1933. Ata siguruan pranimin e Hitlerit në shoqërinë borgjeze.

https://p.dw.com/p/4UJRr
Bayreuther Festspiele | Adolf Hitler në uniformë me Winifred dhe Wieland Wagner
Fans i Festivalit të Bayreuth Adolf Hitler me Winifred Wagner dhe djalin e saj WielandFotografi: akg-images/picture-alliance

Njerëz të artit, si dirigjentët Wilhelm Furtwängler dhe Herbert von Karajan ose skulptori Arno Breker, kanë një gjë të përbashkët: ata bënë karrierë artistike në periudhën e nacional-socializmit pasi Adolf Hitleri erdhi në pushtet në vitin 1933 në Gjermani.

Emra të tjerë të njohur nga skena kulturore i  kishin bërë elozhe Hitlerit shumë vite më parë. Hugo Bruckmann, për shembull, botues arti dhe gruaja e tij Elsam ishin ndër të parët që e ftuan zyrtarisht Adolf Hitlerin në shtëpinë e tyre në vitin 1924, në “sallonin” e tyre të njohur ku mblidheshin rregullisht intelektualë të skenës konservatore. Midis tyre ishin arkitekti Albert Speer, që do të bëhej më vonë arkitekti më i preferuar i Hitlerit, por edhe çifti  Winifred dhe Siegfried Wagner, drejtuesit e Festivalit të Bayreuth, të themeluar nga kompozitori i famshëm gjerman i shekullit 19, Richard Wagner. Salloni i Elsës mblidhte intelektualë që ishin të pakënaqur si nga koha e Perandorisë ashtu edhe nga ajo e Vajmarës.

Hitleri dhe fuqia e fjalës

“Dëshira e zjarrtë për një Mesia ishte e madhe dhe shpresa e klasës së mesme të lartë ishte te Hitleri”,—shpjegon Sven Friedrich, drejtor i Muzeut Richard Wagner në Bayreuth. Hitleri e kishte mahnitur Elsa Bruckmann dhe shumë të tjerë me fjalimet e tij agjitative dhe vizionet e tij për një Gjermani të re të madhe. Çifti mbështeti kreun e Partisë Nacional-Socialiste me para dhe Elsa Bruckmann pëlqente ta vishte siç duhet. Nëpërmjet tyre, ai mori gjithashtu kontaktin e nevojshëm me industrialistët e mëdhenj.

Adolf Hitleri ndihej rehat në këto qarqe. "Ai nuk kishte ndonjë kualifikim të lartë dhe e kishte siguruar jetesën si piktor kartolinash në Vienë. Ai nuk kishte ndonjë arsimim apo sfond të veçantë, ai duhej t'i mësonte të gjitha vetë," thotë Sven Friedrich për DW.

Mikesha e Hitlerit  Winifred Wagner

Winifred Wagner, gruaja e djalit të kompozitorit Richard Wagner, ishte gjithashtu njëra nga mbështetëset e Hitlerit. "Winifred ishte entuziaste për Hitlerin për shkak të aftësisë së tij misionare dhe admirimit të tij të theksuar për muzikën e Wagnerit," thotë eksperti i Wagnerit, Sven Friedrich. Që në fillim, ai i kishte premtuar asaj se do të kujdesej për Festivalin e Bayreuthit, nëse do të vinte në pushtet.

Ata do të bëheshin miq. Adolf Hitleri madje do të jetonte për disa kohë në vilën e familjes Wagner. Pjesë e familjes ishte edhe Houston Stewart Chamberlain, teoricieni racor anglez, antisemit dhe një pionier i lëvizjes nacional-socialiste. Ai ishte i martuar me vajzën e Richard Wagnerit, Evën. “Hitleri e kishte idhull Chamberlainin”,—thotë Sven Friedrich.

Besnikëri ndaj Hitlerit edhe pas tentativës së tij për grusht shteti në Mynih

Në Mynih në vitin 1923, nazistët nën Adolf Hitlerin u përpoqën pa sukses të përmbysnin qeverinë e Republikës së Weimarit me forcën e armëve. Hitleri u dënua me pesë vjet burg, të cilin e vuajti në pranverën e vitit 1924 në kalanë e Landsbergut dhe nga i cili u lirua shumë shpejt, po atë vit.

Deutschland | Leipzig | Winifred Wagner dhe Adolf Hitler, Foto bardhë e zi
​​Gruaja e djalit të kompozitorit të famshëm gjerman, Richard Wagnerit, Windried, ishte një mikeshë besnike e Adolf HitleritFotografi: dpa/lby/picture-alliance

Freidrich thotë se burgimi në Landsberg ishte më shumë një arrest shtëpie. Wagnerët nuk janë në listën e vizitorëve, por ata mbajtën kontakte të ngushta me Hitlerin. Winifred Wagner i dërgonte ëmbëlsira dhe letra në burg. Hitleri filloi të shkruante aty librin e tij "Mein Kampf". Elsa Bruckmann më vonë u ofrua si redaktore për edicionin e dytë.

Donatorë energjikë: Helene dhe Edwin Bechstein

Përveç emrit të Elsa Bruckmannit, emrat Helene dhe Edwin Bechstein mund të gjenden edhe në listën e vizitorëve të kështjellës ku kalonte burgun Hitleri. Kompania e prodhimit të pianos Bechstein, e themeluar në vitin 1853 nga Carl Bechstein, ishte një kompani tradicionale gjermane. "Deri në luftë, pianistët më të rëndësishëm luanin me një Bechstein," thotë Gregor Willmes, muzikolog dhe menaxher kulturor i kompanisë Bechstein. Inflacioni në vitet 1920 e goditi rëndë kompaninë. Edhe familija Bechstein, si familja Wagner, e strehoi Hitlerin për një farë kohe.

Të preferuarit e  Hitlerit

Festivali i Bayreuthit ishte nën mbrojtjen personale të Hitlerit: “Ai ua shpërbleu me subvencione për festivalin”,—thotë drejtori i muzeut Sven Friedrich. Nacional-socialistët bënin që shfaqjet të vazhdonin si një "festival lufte" deri në vitin 1944.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, vizitat e Hitlerit tek zonjat e klasës së lartë u bënë më të pakta. Elsa Bruckmann u distancua nga Hitleri për shkak të mizorive të tij në persekutimin e hebrenjve dhe për shkak të luftës. Megjithatë, thuhet se ajo i ruajti ndjenjat e saj nacionaliste deri në vdekjen e saj në vitin 1951.

Denazifikimi pas vitit 1945?

Winifred Wagner mbeti një mbështetës i flaktë i Hitlerit dhe nacional-socializmit edhe pas luftës. Ashtu si djali i saj Wieland, i cili kishte qenë pranë Hitlerit, asaj iu desh të kalonte nëpër një të ashtuquajtur proces denazifikimi. Ajo nuk u lejua të vazhdonte detyrën e saj si drejtore e festivalit në Bayreuth. Ajo vazhdoi të takohej me miqtë e saj të vjetër nga koha naziste.

Richard Wagner, duke luajtur piano, ne vilën Wahnfried në Bayreuth.
Richard Wagner, duke luajtur piano, ne vilën Wahnfried në Bayreuth. Ai vetë kishte vdekur që në vitin 1883 dhe nuk mund të thuhet se kishte përgjegjësi për fuqizimin e Hitlerit në Gjermani.Fotografi: akg-images/picture-alliance

Arkitekti i Hitlerit Albert Speer u dënua me 20 vjet burg. Figura të tjera të kulturës në kohën e nazizmit si skulptori Arno Breker apo dirigjentët Wilhelm Furtwängler dhe Herbert von Karajan bashkëpunuan me Hitlerin, por më vonë u rehabilituan nga aleatët dhe arritën të rifillonin me sukses aktivitetet e tyre pas disa kohësh. Breker gjithashtu prodhoi vepra në emër të Qeverisë Federale. Dirigjenti Friedrich Furtwängler u festua në Evropë gjatë turneve të tij me Filarmoninë Berliner, dhe Wieland Wagner, i cili mori drejtimin e Festivalit Bayreuth me vëllain e tij Wolfgang, prezantoi një estetikë të re me efekte drite dhe sete të pakta skenike. Ai u festua si një novator i madh skenik.

Trajtimi i së kaluarës naziste

Afërsia e Helene dhe Edwin Bechstein me Hitlerin kishte dëmtuar edhe reputacionin e kompanisë së prodhimit të pianove pas luftës. Megjithatë, emri mbeti. "Sigurisht, ne e mbajmë emrin për shkak të Carl Bechstein, i cili ishte një personalitet i rëndësishëm dhe promovoi artin dhe kulturën, por ne jemi të vetëdijshëm për këtë histori të neveritshme të Helenës dhe Edwinit," thotë menaxheri kulturor Gregor Willmes. Sot, kompania punon me shumë pianistë hebrenj dhe palestinezë nga Izraeli dhe mbështet projekte muzikore që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën naziste. Por në kompani nuk ka më asnjë pjesëtar të familjes Bechstein.

As Festivali i Bayreuthit nuk është më në pronësi të familjes Wagner, por mirëmbahet nga fondacioni publik Richard Wagner. Dhe drejtoresha artistike Katharina Wagner, mbesa e Winifred Wagner, është përballur me të kaluarën nacional-socialiste të familjes së saj. Qëllimi i saj është ta sjellë festivalin në një epokë moderne.

Gaby Reucher Redaktore kulture, autore