1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Egjipt shoqërohen me trazira

dpa / Mimoza kelmendi24 Maj 2012

Zgjedhjet presidenciale në Egjipt po shoqërohen me akte të dhunshme. Protestuesit sulmuan një prej kandidatëve për postin e kryetarit të shtetit.

https://p.dw.com/p/151Ug
Votues në Kajro në votimet për presidentin
Fotografi: AP

Në zgjedhjet presidenciale në Egjipt është sulmuar nga protestuesit gjatë votimit një nga kandidatët për këtë post, ish kryeministri Ahmed Shafik. 70 vjeçari kishte shërbyer në kohën e presidentit të rrëzuar Hosni Mubarak dhe mbahet si një personalitet me karrierë të gjatë ushtarake.

Zgjedhjet që u zhvilluan të mërkurën dhe që vazhdojnë edhe këtë të enjte, mbahen si zgjedhjet e para të lira në Egjipt. Këtë të enjte priten të japin votën e tyre rreth 50 milionë qytetarë, për një nga 12 kandidatët për postin e presidentit të ri të Egjiptit.

Fundi i pushtetit ushtarak?

Ish kryeministri egjiptian, Ahmed Shafik
Ish kryeministri egjiptian, Ahmed ShafikFotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i ardhshëm, i cili i jep fund një sundimi të mëparshëm prej gjashtë dekadash nga një kryetar shteti ardhur nga radhët e ushtrisë, ka gjasa që të mos marrë votat e nevojshme në raundin e parë të zgjedhjeve.

Nuk pritet të ketë fitues të menjëhershëm në fazën e parë dy-ditore të votimeve, kështu që një balotazh është planifikuar për në datat 16 dhe 17 qershor, midis dy kandidatëve kryesues. Fituesi do të shpallet më 21 qershor.

Katër pretendentë kryesorë janë veçuar nga kandidatët në garën për të udhëhequr vendin në tranzicion pas një diktature të gjatë ushtarake prej dekadash. Dy nga këta kanë shërbyer nën drejtimin e ish-presidentit Hosni Mubarak dhe kanë premtuar të rivendosin stabilitetin dhe të sigurojnë sundimin e një shteti laik.

Sipas sondazheve, ish-anëtari i Vëllazërisë Myslimane, Abdel Moneim Abul Fotouh, është favorit për të fituar në zgjedhje ndërsa ish-kreu i Ligës Arabe, Amr Musa, një kandidat i pavarur me përvojë diplomatike ndërkombëtare, është favorit në krahun e laikëve.