Zgjedhjet në Saksoni-Anhalt: Të gjitha partitë kundër AfD
6 Qershor 2021Reiner Haseloff duket ekstremisht i nervozuar, ai rrudh ballin e shkund kokën. Që prej dhjetë vjetësh 67 vjeçari me profesion fizikant qeveris në Saksoni-Anhalt dhe sërish është në garë në zgjedhjet e së dielës. Aktualisht ai drejton koalicionin mes kristiandemokratëve (CDU), socialdemokratëve (SPD) dhe ekologjistëve „Të Gjelbërit". Por a do të mjaftojnë votat kësaj here për këto parti? Populistët e djathtë të AfD-së (Alternativa për Gjermaninë) janë të fortë. Kjo parti ka qenë gjithmonë e përfaqësuar fort në këtë land. 24 përqind i jepen kësaj partie në sondazhet paraelektorale, kaq shumë vota ka fituar ajo edhe në zgjedhjet e fundit përpara pesë vjetësh.
Në disa sondazhe madje ata ia kalojnë edhe CDU-së. Ndaj Haselhof me fytyrë të tensionuar përsërit në arenën elektorale të Radio-televizionit Rundfunk, atë që ai e ka thënë shumë shpesh: „Ka një deklarim të qartë: Ky lidhet edhe me personin tim këtu. Unë kam bërë të qartë, se me mua nuk ka bashkëpunim me AfD-në, thotë Haseloff. "Nëse CDU merr një mandat qeverisës, atëherë do të ketë vetëm një koalicion të qendrës me partitë e qendrës."
Shumë politikanë të CDU-së simpatizojnë AfD-në
Por kjo mund të jetë e vështirë: Koalicioni aktual – për shkak të përbërjes nga tri parti – mund ta humbasë shumicën. Vazhdimisht partitë ekstremisht të ndryshme në pozicionet e tyre gjatë qeverisjes kanë pasur përplasje. Nervat janë bërë tel. Jo pak politikanë të CDU-së në Saksoni-Anhalt, kryesisht të krahut më të djathtë brenda degës së CDU-së në këtë land, flasin hapur se do të ishin të gatshëm për koalicion me populistët e djathtë. Haseloff e di, që një hap i tillë do të jepte një sinjal fatal për zgjedhjet parlamentare në nivel federate në shtator me kandidatin kristiandemokrat për kancelar Armin Laschet.
Shpresë për pjesëmarrjen e FDP-së
Sipa sondazheve të fundit, partia liberal-demokrate FDP ka shanse të mira për t'u rifutur në parlamentin e landit. Në një rast të tillë kjo do të ndihmonte, që Haseloff sërish të sigurojë shumicën. Një shumicë dërmuese e zgjedhësve në Saksoni-Anhalt do të preferonte vërtetë një qeveri të drejtuar nga CDU-ja. Por ka edhe shumë skeptikë. Një koalicion prej katër partish, vetëm për ta mbajtur larg pushtetit AfD-në, nuk do të ishte një impuls i mirë as për demokracinë në mbarë Gjermaninë.
Saksoni-Anhalt një terren i vështirë për ekologjistët
Të Gjelbërit që në nivel federate janë në ngjitje, para pesë vjetësh në këtë land arritën me fare pak pikë të përfaqësohen në parlamentin e landit. Ndërsa aktualisht sondazhet flasin për një shifër tek nëntë deri në dhjetë përqind për ekologjistët. Kuotë kjo shumë më e lartë se në zgjedhetj e fundit e madje edhe krahasuar me ndonjë zonë tjetër në Gjermani. Edhe kandidatja ekologjiste për kancelare dhe kryetare e partisë e ka të vështirë fushatën në këtë land. Në paraqitjen e saj në Magdeburg ajo foli për racizmin dhe antisemitizmin që vërehet jo vetëm në Saksoni-Anhalt: Që dje ose pardje këtu dikush është sulmuar, sepse mbante një kipë në kokë, kjo ka të bëjë me realitetin në vendin tonë. E ndaj lipset, që bashkarisht duhet të angazhohemi kundër kësaj. Çdo ditë, në rrugë në vendin e punës."
Në qytetin Halle në tetor 2019 një terrorist ekstremist i djathtë vrau dy vetë duke tentuar të hyjë në sinagogën e qytetit. Ky akt shkaktoi indinjatë në mbarë botën.
AfD
Kundër mbrojtjes së klimës dhe migrantëve është motoja e AfD-së. Përfaqësuesi i kësaj partie në land Kirchner tërheq vazhdimisht vëmendjen me deklarata radikale dhe sulme verbale ndaj njerëzve që kërkojnë mbrojtje në Gjermani. Në një shkrim për gazetën "Volksstimme" ai formulon: „Njerëzit që kanë emigruar në sistemin tonë social duhet të kthehen sërish në shtëpitë e trye, ata duhet të ndërtojnë vendin e tyre." Ashtu si shumë përfaqësues të tjerë të partisë së tij ai e kritikon politikën e landit dhe të federatës për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.
Të gjitha partië demokratike, që konkurrojnë në Saksoni-Anhalt e refuzojnë bashkëpunimin me AfD-në. Zgjedhjet në këtë land në qendër të Gjermanisë janë të fundit përpara zgjedhjeve për Bundestagun në shtator, ndaj politika është e fokusuar aktualisht në rezultatet e votimeve në Saksoni-Anhalt.