Zgjedhjet në Serbi: votuesit nga Kosova shkojnë në Serbi
3 Prill 2022Presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe pratia e tij Përparimtare Serbe, SNS, llogariten si favoritët kryesorë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi. Ndërsa partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës llogarisin se mund të fitojnë disa mandate. Serbët nga Kosova janë nisur sot në mëngjes me autobusë për të votuar në jug të Serbisë, sepse qeveria serbe nuk ka kërkuar nga Kosova që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve në këtë vend. Por ka pasur edhe shumë makina që janë nisur në drejtim të Serbisë, për të votuar.
Shkuarja me autobusë
Policia e Kosovës bën të ditur se në orët e para të mëngjesit drejt jugut të Serbisë janë nisur më shumë se 30 autobusë me qytetarë serbë të Kosovës. Ata nuk patën mundësinë të votojnë në Kosovë, sikur në zgjedhjet e kaluara, pasi që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të dërgojë kërkesë zyrtare tek institucionet e Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pa këtë kërkesë, në Republikën e Kosovës nuk do të lejohet organizimi i zgjedhjeve serbe, vendim ky që është kritikuar nga autoritetet ndërkombëtare atje. Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se drejt Serbisë deri tani janë nisur rreth 11.000 persona, të cilët kanë disa pika kufitare të vendit.
Votimi në Luginën e Preshevës
Në këto zgjedhje po votojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shumica e partive shqiptare atje po marrin pjesë në zgjedhje. Ato garojnë me dy lista të ndara, me synimin e përbashkët për t'i fituar 3 mandate në parlamentin serb. Bëhet e ditur se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë në orët e paraditës e ultë. Politikanët e atjeshëm thonë se shqiptarët duhet të votojnë për të legjitimuar kërkesat e tyre në Parlamentin e Serbisë dhe ‘për të dënuar programet diskriminuese'. Lista e votuesve shqiptarë është e paqartë, pasi që shqiptarët e Luginës e kanë bojkotuar regjistrimin e fundit.
Incidentet sporatike
Mediat serbe njoftojnë se në disa rajone të Serbisë ka pasur parregullësi, e madje edhe incidente sporadike. Gazeta Danas shkruan për një sulm ndaj politikanit serb Bratislav Jugoviq në Çaçak, e raportohet edhe për parregullësi të tjera, por deri tani nuk ka ndonjë ndërprerje të votimeve. Organizatat e pavarura që po vëzhgojnë zgjedhjet pohojnë se deri në orën 14 kanë votuar mbi 30% e votuesve, që është më shumë se në zgjedhjet e fundit.
Votimet janë organizuar edhe në disa vende të Republikës Serpska në Bosnjë-Hercgovinë, e zgjedhësit mund të japin votën e tyre edhe në përfaqësitë e Serbisë në Gjermani.