1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet parlamentare në Australi pa fitues të qartë

23 Gusht 2010

As kryeministrja Julia Gillard e as kundërkandidati i saj Tony Abbott nuk arritën të sigurojnë shumicën absolute të votave. Një konstelacion të tillë për herë të fundit Australia ka pasur para 70 vitesh.

https://p.dw.com/p/Ou47
Kryeministrja Julia Gillard duke votuar ne Melburn, 21 gusht 2010Fotografi: AP

Parlamentit në Canberra do t'i nevojitet kohë që të fillojë punën me përbërjen e re. Në zgjedhjet parlamentare të së shtunës (21.8.) asnjë prej partive nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Një grup i vogël i deputetëve të pavarur do të luajë tani rolin vendimtar, që Australia të bëhet me qeveri të re. Partia laburiste deri tani qeverisëse nën drejtimin e Julia Gillard ka humbur një numër të madh të votave në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Pas numërimit të 78 përqind të votave të përgjithshme mësohet se partia qeveritare ka siguruar 70, ndërsa Aleanca liberal-konservatore në opozitë e Tony Abbott-it 72 vende në parlament.

Një vend është fituar nga ekologjistët australianë, të cilët do të jenë të përfaqësuar për herë të parë në parlamentin e vendit, ndërkohë që katër, apo ndoshta edhe pesë vende janë fituar nga kandidatë të pavarur.

Wahlen in Australien
Udhëheqësi i opozitës Tony Abbott, djathtas, ndihmon në një qark elektotal në Sydney 21 gusht 2010Fotografi: AP

Edhe nëse partia laburiste do të fitonte të gjitha qarqet zgjedhore, ku nuk ka përfunduar numërimi i votave, prapëseprapë dy forcat kryesore politike në vend do të ballafaqoheshin me një gjendje pati. Kjo për faktin se parlamenti australian ka gjithsej 150 vende. Për të qeverisur vendin nevojiten 76 vende.

Julia Gillard në fjalimin e saj të parë pas përfundimit të zgjedhjeve çmoi lart kandidatët e pavarur nga bashkëpunimi i të cilëve varet edhe formimi i qeverisë së re:

"Disa deputetë të pavarur do të luajnë një rol kyç në formimin e qeverisë së ardhshme australiane. Unë deri tani kam bashkëpunuar shumë mirë dhe në mënyrë konstruktive me deputetët e pavarur në parlament dhe po ashtu edhe me të gjelbrit në senat."

Wahlen in Australien
Votime në AustraliFotografi: AP

Shumica e deputetëve të pavarur megjithatë preferojnë më shumë të bashkëpunojnë me kampin konservativ. Tony Abbott, kryekandidati i opozitës, tha në mbrëmjen e zgjedhjeve se qeveria laburiste e ka humbur legjitimitetin e saj.

"Ne jemi të gatshëm të qeverisim dhe t'i garantojmë popullit australian një qeveri stabile dhe të besueshme. Gjatë ditëve të ardhshme unë do të flas me deputetët e pavarur, që të sigurohem se ne mund të krijojmë një qeveri."

Për një qeveri, e cila do të varej nga votat e deputetëve të pavarur sipas vlerësimeve të vëzhguesve të zgjedhjeve do të jetë shumë e vështirë që të menaxhojë sfidat e mëdha ekonomike dhe të politikës ambientale. Po ashtu edhe njerëzit në rrugë janë të shqetësuar për të ardhmen e vendit.

Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në post mbetet kryeministrja Julia Gillard. Në radhët e partisë laburiste ndërkohë kanë filluar diskutimet rreth asaj se kush është fajtor për disfatën politike.

Autor: Bernd Musch-Borowska/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica