Zgjedhjet në Rumani: Tronditje ekstremiste e djathtë TikToku
25 Nëntor 2024"Befasi totale", "tronditje", "tërmet", "fund me atak kardiak": këto ishin disa nga thirjet e tmerruara që dilnin nga buzët e komentuesve të habitur në studiot televizive rumune mbrëmjen e së dielës, kur po aktualizoheshin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Sepse: një fondamentalist i djathtë dhe i krishterë ortodoks, praktikisht i injoruar nga politikanët dhe mediat kryesore, i cili e admiron Putinin po aq sa legjionarët rumunë fashistë të periudhës mes luftërave, ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani dhe askush nuk qe në gjendje ta parashikonte.
Calin Georgescu, i lindur në vitin 1962, me profesion inxhinjer agronomie, i pavarur, por aktiv në skenën e ekstremit të djathtë të Rumanisë prej disa vitesh, mori rreth 23% të votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës (24.11.2024). Në sondazhet para zgjedhjeve për një kohë të gjatë ai nuk kishte luajtur thuajse asnjë rol dhe kohët e fundit kishte marrë nga katër deri në shtatë për qind. Ai nuk bëri fushatë të vërtetë elektorale, nuk kishte parti apo organizatë pas vetes dhe thuajse nuk ishte prezente në mediat tradicionale.
Në vend të kësaj, javët e fundit ai tërhoqi vëmendjen para së gjithash me video në TikTok, të cilat janë shpërndarë qindra mijëra herë.
Në një thriller të vërtetë elektoral për vendin e dytë, kandidatja Elena Lasconi, e partisë reformiste liberale-progresive Bashkimi Shpëton Rumaninë(USR), mori 19.17% me një avantazh prej vetëm rreth 2000 votash.
Marcel Ciolacu, kryeministri aktual dhe kreu i Partisë Social Demokratike (PSD), ishte favorit në sondazhe dhe arriti në 19.15%. Është hera e parë që socialdemokratët paskomunistë, të cilët kanë dominuar peizazhin politik rumun që nga rënia e diktaturës dhe prej kohësh kanë tendencë të jenë populistë të krahut të djathtë, nuk kanë asnjë kandidat në një raund balotahi të zgjedhjeve presidenciale.
George Simion, president i partisë së ekstremit të djathtë Aleanca për Bashkimin e Rumanisë (AUR), doli në vendin e katërt me rreth 14%. Nacional-liberalët ranë në pak më pak se 9%. Në përgjithësi, sondazhet, praktikisht me përjashtim të rastit të disa kandidatëve të vegjël ishin tërësisht të pasakta.
"Sulmi ndaj Rumanisë ka filluar"
Komentatorët rumunë u treguan të tronditur natën e zgjedhjeve. Politologu i Bukureshtit Cristian Pirvulescu deklaroi në kanalin televiziv Digi24 se rezultati i zgjedhjeve tregoi hendekun e madh midis klasës politike rumune dhe shoqërisë rumune, pasi një e treta e votuesve kishin votuar për "kandidatët kundër sistemit". Është një "moment që peshon rëndë për Rumaninë" dhe një "sinjal i rëndësishëm alarmi". Rumania, sipas tij, është "gati të bjerë në humnerë".
Nga ana e tij, eksperti kushtetues Ioan Stanomir foli për një "spirale protestash të paparashikueshme" nëse politika tradicionale për shkak të "paaftësisë dhe mediokritetit" ua lë fushën të lirë personave jokonformistë. "Humbësit e globalizimit kanë marrë hak," tha Stanomir. Gazetari Cristian Tudor Popescu, i njohur për formulimet e tij thumbuese, shkroi në Facebook të dielën në mbrëmje (24 nëntor 2024): "Sonte ka filluar pushtimi i Rumanisë nga Rusia”.
Deklarim në favor të tërheqjes nga BE dhe NATO
Kjo deklaratë nuk është aspak absurde, sa duket nëse i hedh një sy karrierës politike dhe deklaratave të Calin Georgescu-t. 62-vjeçari ka punuar për një kohë të gjatë në aparatin shtetëror rumun, përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Jashtme. Pak më shumë se një dekadë më parë, ai shfaqej gjithnjë e më shumë në publik me botime dhe deklarata në të cilat përhapte pikëpamjet fondamentaliste kristian-ortodokse, të ekstremit të djathtë, antiperëndimore dhe proruse, si dhe teori konspirative.
Një periudhë kohe ai ishte anëtar i partisë së ekstremit të djathtë AUR, por u përplas me liderin e saj, George Simion, i cili fillimisht u konsiderua si favorit për raundin e dytë presidencial aktual. Georgescu ka qenë nën hetim penal që nga viti 2022 për glorifikim të Lëvizjes Legjionare profashiste, ortodokse dhe antisemite të periudhës mes luftërave dhe sepse e ka quajtur hero diktatorin rumun dhe aleatin e Hitlerit, Ion Antonescu. Në lidhje me Rusinë dhe luftën e saj kundër Ukrainës, Georgescu pohon se "Putini e do vendin e tij", se SHBA e kishin planifikuar dhe provokuar luftën në Ukrainë prej një kohë të gjatë dhe se "mençuria ruse është mundësia e Rumanisë". Georgescu deklarohet në favor të largimit të Rumanisë nga BE dhe NATO.
Mundësi të mira për kandidaten e moderuar
Në klipet e tij në TikTok, Georgescu përsërit slogane të tilla si: "Gjëja më e keqe nuk është se Rumania ka humbur tokë, pyje dhe industri. Ajo që i mungon më shumë Rumanisë është kulti i nderit dhe dinjitetit." Kjo të kujton fjalimin e legjionarëve të periudhës midis luftërave. Natën e djeshme të zgjedhjeve, Georgescu iu drejtua votuesve të tij me një mesazh të shkurtër fondamentalist-nacionalist të krishterë: në "të dielën e 30-të pas Pashkëve", populli rumun "qau për paqe" në një "klithmë vuajtjeje". Populli rumun po përjetonte "rilindjen e guximit për të qenë rumun", ai kishte votuar "të mos u gjunjëzuar, për të mos u pushtuar, për të mos u mënjanuar dhe për të mos u poshtëruar".
Megjithatë, është e pasigurt nëse Georgescu do të fitojë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale pas 14 ditësh: diskursi i tij është shumë ekstrem për shumicën e rumunëve dhe shumë votues mund të kenë votuar për të në raundin e parë thjesht në shenjë proteste dhe pa i njohur shumë nga pikëpamjet e tij.
Kandidatja e vendit të dytë, Elena Lasconi, kryetare e partisë Bashkimi Shpëto Rumaninë dhe kryetare bashkie e një qyteti të vogël në Rumaninë jugore, është ndoshta alternativa më e përshtatshme për shumë votues, pasi nga njëra anë ajo përfaqëson politikën e moderuar të majtë dhe konservatore dhe me pikëpamje djathtas qendrës, por nga ana tjetër, me partinë e saj USR, ajo përfaqëson gjithashtu një ndarje nga klasa politike e diskredituar dhe e rraskapitur rumune, e dominuar në dekadat e fundit nga socialdemokratët dhe liberalët nacionalë.
Zgjedhjet e para në botë në TikTok
USR lindi rreth një dekadë më parë si një parti protestuese progresive-liberale kundër korrupsionit dhe mungesës së reformave shtetërore në Rumani. Ka të ngjarë që Lasconi tani të përpiqet të paraqitet si "shpëtimtarja e Rumanisë" kundër një aventurieri politik që do ta zhyste vendin në kaos, në një mënyrë krejtësisht të paparashikuar bazuar në emrin e partisë.
Edhe pse shanset për këtë janë të mira, Rumania ndoshta do të analizojë për një kohë të gjatë trazirat historike të zgjedhjeve të së dielës. Sepse, ashtu si 35 vjet më parë, gjatë rënies së diktaturës së Çausheskut, Rumania përjetoi "tele-revolucionin" e parë në botë, revolucionin në televizor, tani mund të flasim për "zgjedhjet e para në TikTok" në botë. Është ende e paqartë se si janë shpërndarë qindra mijëra herë videot e Georgescut në TikTok në javët e fundit ose kush ka paguar për to.
Luftë hibride e humbur
Gazetari Florin Negrutiu ka deklaruar në televizionin Digi24 se është e nevojshme të sqarohet kjo çështje. Sipas Negrutiut, është e qartë se rezultati i zgjedhjeve është një "kombinim i tmerrshëm i disa faktorëve": "një njeri që është një udhëheqës mesianik dhe një konservë e Putinit, algoritme të mediave sociale dhe fabrika të boteve".
Rumania tani po pret me padurim zgjedhjet parlamentare të dielën e ardhshme (1 dhjetor 2024), për të cilat askush nuk guxon për momentin të bëjë parashikime të vlefshme përballë rezultateve të raundit të parë. Për publicistin Ion M. Ionita, megjithatë, një gjë është tashmë e qartë: "Politika tradicionale është fshirë tej praktikisht në Rumani. Ne jemi vendi i parë që kemi humbur luftën hibride të shpërthyer në rrjetet sociale."