Zgjohu Europë!
5 Dhjetor 2021Vitin e kaluar në këtë kohë u festua 25 vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës së tmerrshme në Bosnje-Hercegovinë. Sot është ndryshe: Vendi ndodhet para një lufte të re, nëse politika e papërgjegjshme e lëshimeve do të vazhdojë. Atëkohë bashkësia ndërkombëtare, sidomos SHBA ndali një luftë, që përmes republikës së vetëquajtur, Republika Srpska kaloi në gjenocid. Në fund të korrikut të këtij viti, ish- Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së, Valentin Inzko futi në fuqi zgjerimin e kodit penal, që dënonte mohimin e gjenocidit të Srebernicës dhe himnizimin e krimeve të luftës.
Ky ligj u hodh poshtë menjëherë nga Milorad Dodik, përfaqësuesi i boshnjakëve-serbë në Presidiumin Shtetëror të Bosnje-Hercegovinës dhe ndeshi në refuzim e reagime kundërshtuese në Republikën Srpska. Boshnjakët-serbë u tërhoqën nga institucionet evendit dhe kërkuar tërheqjen e ligjit Inzko. Me këtë ata bllokojnë shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Në thelb një puç shtetëror.
Spiralja e përçarjes
Përfaqësuesi i ri i Lartë, gjermani Christian Schmidt, që nga ardhja në post e tij ofendohet publikisht dhe injorohet nga boshnjakët-serbë. Ata kanë mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, që duan ta heqin Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, instanca më e lartë e Marrëveshjes së Dejtonit për implementimin e marrëveshjes së paqes. Spiralja e ndarjes së Republikës Srpska vazhdon, presioni e shantazhi që ndërmerr Dodik kundrejt shtetit të Bosnje-Hercegovinës janë më kërcënuesese kurrë. Dy vendime të Gjykatës Kushtetuese për pronën shtetërore parlamenti i Republikës Srpska i hodhi poshtë pa të drejtë. Dodik ka javë që kërcënon, që do të shkëpusë Republikën Srpska nga ushtria shtetërore, ligjet dhe institucionet financiare, e me këtë faktikisht të bëhet i pavarur. Një vendim për këtë do të merret më 10 dhjetir. Që me këtë shkelet Marrëveshja e Dejtonit dhe kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës nuk i intereson Dodikut.
Plani i Serbisë së Madhe nuk është harruar
Të gjithëve iu është bërë e qartë, se me këtë kalohet vija e kuqe. Fjala "luftë" ka filluar të qarkullojë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të vendoste këtu menjëherë sanksione të ashpra kundrejt Dodikut, por nuk po e bën. Dodik mund të shkatërrojë më tej shtetin e Bosnje-Hercegovinës me ideologjinë e tij etno-nacionaliste. Prej 10 vjetësh rajoni i Ballkanit Perëndimor me një Dodik që vepron gjithnjë e më në mënyrë perfide, e që në sfond mbështetet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po kthehet në një top loje të fuqive të mëdha. Që Dodik gëzon mbështetjen e Rusisë dhe Kinës ai e ka bërë të qartë në një intervistë në "Guardian" (29.11.2021).
Kështu flitet hapur, se plani i Serbisë së Madhe, që në vitet 90-të shkaktoi 2,5 milionë refugjatë dhe i kushtoi jetën 100.000 vetëve, është më i gjallë se kurrë. Me këtë bëhet e qartë, që qeveritë nacionaliste të Kroacisë dhe Serbisë asnjëherë nuk e kanë dorëzuar qëllimin të ndajnë mes tyre Bosnje-Hercegovinën. Aktualisht kjo po forcohet sërish në mënyrë aktive.
Sanksione të përbashkëta
Me tmerr unë shoh të kthehem në vitet 90-të, kur bashkësia ndërkombëtare për një kohë të gjatë qëndroi duarkryq dhe zhvillimet çuan në një luftë të tmerrshme. Por çfarë bën bashkësia ndërkombëtare sot?
Ne e dimë që nga viti 2006 se Bosnje-Hercegovina po largohet nga zhvillimet demokratike dhe bashkësia ndërkombëtare ka një bashkëpërgjegjësi të madhe. Sanksionet, si SHBA ka vendosur kundër Dodikut, nuk kanë efekt të madh, kur BE që po ashtu ka mekanizma nuk vendos për këtë. Kjo kërkon miratimin e të paktën vendeve nga 27 vende anëtare. Në perspektivë duhet të mendohet për një kurs më të ashpër,u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të BE më 15 nëntor në Bruksel dhe përcaktoi: sanksionet duhet të godasin ata që venë në pikëpyetje strukturat shtetërore dhe me urrejtje duan të nxisin njerëzit kundër njëri-tjetrit. (TAZ 17.11.2021)
Politika e lëshimeve
Por nuk u ra dakord. Gjermania ishte pro, por Hungaria kundër. Me një politikë të tillë lëshimesh prej vitesh kundrejt Bosnje-Hercegovinës, nuk i bëhet mirë këtij vendi, përkundrazi. Shembull më i mirë janë bisedimet për reformën zgjedhore, që po zhvillojnë ndërkohë Matthew Palmer, i ngarkuari i posaçëm amerikan për reformën zgjedhore në Bosnje-Hercegovinë dhe Angelina Eichhorst nga BE, (European External Action Service), e që për të tretën herë qëndrojnë në BH brenda një kohe të shkurtër. Të dy përpiqen në mënyrë aspak transparente dhe me presion të bëjnë një reformë zgjedhore. Pse përpiqen ta bëjnë këtë, kur vendi ndodhet në krizën më të madhe që nga fundi i luftës nuk është e kuptueshme dhe nuk krijon besim. Në vend të vendosin sanksione për ata që e bllokojnë e kërcënojnë shtetin, kërkohet një rrugë për të kënaqur ekstremistët.
Axhenda e ndarjes në prapaskenë?
Jam i mendimit, se shumë qytetarë në Bosnje-Hercegovinë ashtu si edhe dy paditësit e njohur Jakob Finci dhe Azra Zornic që që nga viti 2009 dhe 2014 presin implementimin e vendimeve të tyre të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku zgjedhjet e vitit 2022 ashtu si edhe të tjerat të mbahen në bazë të ligjit aktual zgjedhor. Vetëm më pas dhe pa presion, me transparencë dhe me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve të shoqërisë, duhet të ndryshohet kushtetuta diskriminuese e Bosnje-Hercegovinës që krijon kushtet për një reformë zgjedhore. Jo e kundërta.
Tani ka më shumë rëndësi të mënjanohet rreziku i përpjekjeve për ndarje të BH. Stabilizimi i shtetit duhet të jetë më i rëndësishmi, por pa dorëzuar vlerat demokratike. Një reformë e ligjit zgjedhor me thellim etnik e gropos përfundimisht atë. Duket se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare, nuk përmban ndryshime esenciale, që mund të çohen më tej si bazë për zhvillim të mëtejshëm demokratik të vendit, por në prapavijë vepron një axhendë tjetër, ajo që vendi të ndahet. Nuk ka çudi që Palmer dhe Eichhorst tani ndeshen me kritika për atë që bashkëpunojnë me kroatët boshnjakë të partisë nacionaliste, HDZ. Sepse HDZ qëndron për një propozime të ligjit zgjedhor mbi kritere etnike duke e çuar më tej diskriminimin, në fund me qëllimin e një ndarjeje tjetër dhe fundin e BH.
Jo standarde të dyfishta
Votimi më 29.11.2021 në parlamentin e BH e konfirmon këtë. Deputetë të Respublikës Srpska erdhën që nga korriku për herë të parë në parlament dhe përpiqen së bashku me deputetët kroatë të HDZ-së të rrëzojnë ligjin e Inzkos për mohimin e gjenocidit. Fakti që boshnjakët serbë dhe boshnjakët kroatë e mohojnë gjenocidin ndaj boshnjakëve dhe ngrenë si heronj kriminelët e dënuar të luftës 26 vjet pas fundit të luftës është një sinjal paralajmërues, që në gjitha këto vite nuk është hedhur asnjë hap përpara ne vlerat e BE dhe parimet e saj. Që Kroacia si vend anëtar e mbështet këtë të le pa fjalë.
Vetëm bashkësia ndërkombëtare mund të ndalë këtë fatkeqësi dhe ata që sulmojnë rendin kushtetues të shtetit. Vlerat europiane dhe të drejtat e njeriut mbrohen sot në Bosnjë-Hercegovinë për të gjithë BE. Nëse dështojmë këtu, është e pasigurtë edhe e ardhmja e BE. Ne nuk duhet t'i mbyllim sytë përpara presioneve dhe nuk duhet të lejojmë standarde të dyfishta në çështjen e të drejtave fë njeriut. Ne duhet të pozicionohemi, BE, Britania e Madhe dhe SHBA, e sidomos Gjermania. Të jemi aktivë e të ndalim sa më shpejt katastrofën drejt së cilës po shkon Bosnje-Hercegovnia!
Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë në vitet 2006/07 Përfaqësues i Lartë i OKB-së në Bosnje-Hercegovinë. Nga viti 1982 deri në 1992 ai ishte ministër federal gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin dhe dha dorëheqejn në shenjë proteste ndaj qëndrimit të qeverisë gjermane në Bosnje-Hercegovinë.