Zjarr në Tetovë - 14 të vdekur dhe 12 të lënduar
9 Shtator 2021Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer të mërkurën në mbrëmje në një spital të Tetovës ku trajtoheshin të sëmurët me Corona. 14 vetë kanë humbur jetën, e 12 të tjerë janë lënduar.
"Fatkeqësi e tmerrshme ka ndodhur në Tetovë ku ka viktima nga zjarri që shpërtheu në spitalin modular për Covid-19. Ekipet kompetente po përcaktojnë numrin e saktë të njerëzve që humbën jetën, të plagosurit dhe gjendjen e tyre", ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Janë shpallir tri ditë zie kombëtare pas kësaj fatkeqësie. Kryetarja e komunës së tetovës, Teuta Arifi, tha, se po bëhet gjith♪5ka e mundshme për të zbardhur ngjarjen.
Po ahtu mësohet, se qeveria ka pranuar ofertën e disa vendeve të NATO-s për dërgimin e ekspertëve të nivelit të lartë, që do të ndihmojnë për hetimin e shkaqeve të zjarrit, siç njoftohet në kumtesën e qeverisë.
Prokuroria ka nisur hetimet
Prokuroria themelore në Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular për Covid-19. "Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë publikë nga Tetova dhe dy nga Shkupi. Ekipi prej pesë prokurorëve, së bashku me ekipe nga institucionet kompetente po i ndërmerr të gjitha veprimet në drejtim të konfirmimit të arsyeve për zjarrin e shkaktuar”, informojnë nga Prokuroria e Tetovës.
Zjarri besohet se është shkaktuar nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit. Ekipet e zjarrfikësve kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por puna e tyre është vështirësuar nga flakat e zjarrit që shpërndaheshin me një shpejtësi të madhe dhe pothuajse në tërësi kanë shkatërruar objektin e spitalit modular, i cili ishte i ndërtuar jo nga materiali i fortë. "Deri sa po lokalizonim zjarrin, nxirrnim edhe viktima edhe të mbijetuar, por unë nuk mund të them se sa viktima ka”, deklaroi Sasho Trajçevski nga Shërbimi i Zjarrfikësve në Tetovë.
Arifi: Dhimbja është shumë e madhe
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e shqetësuar dhe thellë e tronditur nga zjarri tragjik që ka kapluar spitalin modular ka thënë se gjithçka ka marrë flakë shumë shpejt. ”Shpreh keqardhje të thellë për këtë që ndodhi. Në spital kishte njerëz të sëmurë. Dhimbja është shumë e madhe, cila qoftë arsyeja e shpërthimit dhimbja është e madhe kjo që ndodhi në Tetovë”, ka deklaruar Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Krerët më të lartë të qeverisë mblidhen në Tetovë
Pas shpërthimit të zjarrit në Tetovë është mbledhur në një takim urgjent shtabi i krizës ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev ,ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje asnjë nga zyrtarët e lartë nuk kanë dhënë deklaratë me arsyetim se prokurori shtetëror dhe institucionet e tjera duhet të përcaktojnë shkakun dhe arsyen e shpërthimit të zjarrit.
"Lufta për të mbijetuarit akoma vazhdon, të gjithë reaguan duke u përpjekur për të shpëtuar jetët e njerëzve. Shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e të ndjerëve. Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen. Kjo është një ngjarje tragjike që kërkon zbardhje të tërësishme”, është shprehur kryeministri Zoran Zaev në rrjetet sociale.