Zjarret në Australi - I akuzuari për zjarrvënie para gjyqit
17 Shkurt 200939-vjeçari dyshohet se i ka vënë me qëllim më 7 shkurt në Churchill në lindje të Melburnit zjarrin një pylli. Prej zjarreve kanë gjetur vdekjen të paktën 21 vetë. Sipas njoftimeve të gazetës The Australian ai në vitet 80 kishte qenë vetë zjarrfikës. Ai akuzohet për zjarrvënie me dashje dhe me pasoja vdekjen e njerëzve si dhe për posedim pornografie me të mitur. Në rast se dënohet atë e presin 25 vjet heqje lirie. Prokuroria njoftoi se zjarrvënësi mund të akuzohet edhe për vrasje, gjë që do të thoshte dënim me burgim të përjetshëm
Pas kërcënimeve të banorëve të zonës se do ta linçonin, i akuzuari është transferuar në burgun e Melburnit.
Edhe pse deri tani flitet për 181 të vdekur, mendohet se numri i viktimave të shkaktuara prej zjarrit do të rritet edhe më shumë. Në rrënojat e shtëpive apo makinave të djegura në zonat e katastrofës mendohet se gjenden edhe 100 viktima. Po ashtu mendohet se trupat pa jetë të atyre që janë përfshirë prej flakëve në pyll nuk do të gjenden më, sepse duhet të jenë djegur plotësisht.
Njoftohet gjithashtu se një grup personash kanë ngritur padi ndaj një firme furnizimi me energji elektrike, sepse zjarri në tri zona të tjera përreth Melburnit, Kinglake, Steel Creek dhe St. Andrews, është shkaktuar prej këputjes së një kablli elektrik. Në këtë zonë gjetën vdekjen rreth 100 vetë. Sipas një politikaneje të zonës kabllot e rrymës elektrike kalonin në një masë të madhe përmes pyllit dhe shkurreve: "Zjarrfikësit më thanë se prej erërave të forta të së djelës së kaluar, është këputur një nga telat elektrikë dhe prej shkëndijave është shkaktuar zjarr."
Sipas mediave australiane edhe komisioni i posaçëm hetimor Feniks ka gjetur si provë materiale një copë kablli të rënë në tokë.
(PP/VFB)