Zvicra ashpërson ligjin e azilit
10 Qershor 2013Rishikimi i ligjit të azilimit u miratua me 79 përqind të votave të dhëna të dielën, në bazë të rezultateve përfundimtare të referendumit kombëtar të publikuar nga media publike SSR.
Celine Amandruz, nga partia më e madhe e Zvicrës, Partia Popullore Zvicerane (SVP) i mirëpriti ndryshimet në ligj. Ajo nguli këmbë që nëntë prej 10 personave që kërkojnë azil në Zvicër e bëjnë këtë "për arsye ekonomike". "Ka një nevojë të qartë për të ndryshuar sistemin", tha ajo.
Ndërsa deputetja Anne Seydoux-Christie i dënoi ndryshimet. Duke folur kundër vijës zyrtare të Partisë së saj Christian Demokratike, Seydoux-Christie tha se vota " shënon një dobësim të traditës sonë humanitare dhe natyrisht një mungesë solidariteti ndaj asaj që po ndodh në vendet e krizave serioze."
Midis rishikimeve më të diskutueshme të ligjit të azilimit ishte eleminimi i dezertimit nga ushtria, si shkak i mjaftueshëm për të kërkuar azil.
Për personat nga Eritrea, të cilët qenë aa që paraqitën më shumë aplikime për azil vitin e kaluar në Zvicër, dezertimi nga ushtria qe arsyeja që paraqitën më shumë. Ky shtet afrikan i detyron të bëjnë shërbim ushtarak të paguar pak dhe të pakufizuar të gjithë meshkujt që janë në gjendje fizike për këtë.
Një ndryshim tjetër ishte heqja e mundësisë së njerëzve, për të aplikuar për azil përmes ambasadave të Zvicrës në botë. Kundërshtarët e quajtën këtë hap "johuman", sepse do të thotë që personave në nevojë do t'u duhet të bëjnë një udhëtim shpesh të rrezikshëm nga vendi i tyre në Zvicër, pa ndihmë nga qeveria.
Rishikimet e ligjit lejojnë gjithashtu ngritjen e "një qendre speciale" për refugjatët që konsiderohet se shkaktojnë trazira.
Numër i lartë refugjatësh
Ministrja e Drejtësisë, Simonneta Sommaruga tha se ndryshimet ishin për të mirën e azilkërkuesve dhe theksoi nevojën e përshpejtimit të procesit. "Lënia e njerëzve dhe e familjeve të tyre në pasiguri për një kohë të gjatë është e papranueshme", tha ajo.
Qeveria zvicerane thotë se në procesin e kërkimit të azilit aktualisht ndodhen 48.000 vetë, duke përfshirë 26,631 vetë të vitit 2012. Një në 332 banorë të Zvicrës i bie të jetë azilkërkues. Kjo kuotë është shumë më e lartë se mesatarja evropiane, që është në raportin 1 me 625 banorë.
Zvicra përjetoi kohët një rritje të numrit të azilkërkuesve, në pjesën më të madhe për shkak të trazirave të lidhura me pranverën arabe.
Një çështje tjetër që u hodh në votë të dielën në Zvicër ishte edhe një iniciativë që njerëzit ta zgjidhnin drejtpërdrejt qeverinë, në vend që atë ta zgjidhte parlamenti. Kjo iniciativë u refuzua nga 76 përqind e votuesve, bëri të ditur parashikimi i SSR.
Autor: Auron Dodi (dr/rc)
Redaktoi: Angjelina Verbica