Zvicra në Panairin e Librit në Lajpcig
13 Mars 2014Në fokus të këtij viti në Panairin e Librit në Lajpcig (13 -. 16.3) është Zvicra dhe sidomos letërsia në gjuhën retoromane. Shumica e autorëve retoromanë të Zvicrës shkruajnë në dy gjuhë, në mënyrë që të jenë të pranishëm në tregun gjerman të librit.
E kërcënuar nga zhdukja
Në Zvicër ka rreth rreth 50.000 deri në 60.000 vetë, që flasin sot gjuhën retoromane, apo romansh, e cila është pranë gjermanishtes, frëngjishtes dhe italishtes - gjuha e katërt zyrtare e Zvicrës. Fillimet e saj datohen në vitin 15 para Krishtit, kur filloi përzierja e gjuhëve lokale të Retias me gjuhën latine. Edhe pse gjuhë e një pakice, gjuha romansh ndahet në pesë nëndialekte në: Vallader, Putèr, Sursilvan, Sutsilvan dhe Surmiran.
Sikurse gjuha e sorbëve në Gjermani apo gjuha korse, edhe romansh bën pjesë në gjuhët e Evropës të kërcënuara nga zhdukja. Por kjo gjuhë jo vetëm vazhdon të flitet fshtarave të Zvicrës, por në të shkruhet edhe letërsi.
Inovativë dhe modernë
Temat e letërsisë në gjuhën retoromane nuk janë vetëm jeta në Alpe, bagëtia dhe gjuetia, por edhe jeta urbane, sikurse gjendet në librat e Leo Tuor dhe Arno Camenisch, që sipas studiuesit të letërsisë Clà Riatsch janë mjaft inovativë si në mënyrën e të shkruarit edhe në formën artistike.
Zvicra shpenzon shumë para për ruajtjen e kësaj gjuhe të rrezikuar nga zhdukja. Por edhe pse në administratë përdorimi i saj është i sukseshëm, futja e saj në përdorim në shkolla është e vështirë. Po ashtu edhe numri i shkrimtarëve, që shkruajnë në gjuhën retoromane, nuk është i madh.