Thirrje për rrëzimin e kreut venezuelan Nicolas Maduro
2 Shkurt 2019„Kjo nuk është koha për dialog", u shpreh Mike Pence, zëvendëspresidenti amerikan para venezuelanëve në ekzil në Miami. „Kjo është koha për të vepruar." „Sipas tij në tryezë janë të gjitha opcionet. Këshilltari i presidentit, Donald Trump për sigurinë, John Bolton deklaroi në twitter se „SHBA janë të gatshëm të ofrojnë për Venezuelën ilaçe dhe ndihma ushqimore. Ndërsa presidenti i vetëshpallur si president i përkohshëm, Juan Guaido ka bërë thirrje për „demonstratën më të madhe" në historinë e vendit të shtunën. Jo vetëm në Venezuela, edhe në Spanjë, Peru, Meksikë, Argjentinë, ku jetojnë shumë venezuelanë është bërë thirrje për demonstrata.
A mund të përdorë Maduro ushtrinë?
Kreu socialist, Nicolas Maduro ende e ka mbështetjen e ushtrisë. Megjithatë Guaido përpiqet prej ditësh që të bëjë për vete ushtarakët. Ai u premtoi ushtarëve shpallje amnistie, nëse ata e mbështesin. Presidenti i vetëshpallur përpiqet të gjejë sa më shumë mbështetës në arenën ndërkombëtare. Pas SHBA e një sërë vendesh amerikanolatine, aleanca e përkrahësve do të rritet në fundjavë. Të dielën përfundon një ultimatum i shumë vendeve europiane. Nëse Maduro nuk shpall deri këtë fundjavë zgjedhje të reja e të lira, Gjermania, Franca, Spanja, Portugalia, Britania e Madhe, Holanda e Belgjika do ta njohin Guaidon si kreun legjitim të shtetit. Kancelarja Merkel paralajmëroi nga ashpërsimi i situatës në Venezuela. „Duam të japim një kontribut që të mos e shkallëzojmë edhe më tej gjendjen në Venezuela", tha Merkel. Nga ana tjetër populli venezuelan duhet të ndjekë interesat e tij dhe „kjo mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve."
la/haz/cvo (rtr, afp, dpa)