1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çdo të thotë të jesh me SIDA në Shqipëri?

1 Dhjetor 2010

Me tepër se një çështje e shërbimeve shëndetësore SIDA në Shqipëri është çështje sociale. Të infektuarit vuajnë përjashtimin social, stigmatizimin e diskriminimin. Sfida më e madhe është ndryshimi i mentaliteti shoqëror

https://p.dw.com/p/QMwW
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ishte një transfuzion fatal gjaku ai i bashkëshortit të Teutës në verën e vitit 1998. Në spitalin Ushtarak në Tiranë atij i dhanë gjak të infektuar me virusin famëkeq HIV/AIDS. Asokohe në Shqipëri, në Qendrën Kombëtare të Dhurimit dhe Konservimit të Gjakut, nuk bëheshin analiza për këtë virus. Kur mjeket e diagnostikuan sëmundjen ishte shumë vonë. Pesë vjet pas transfuzionit të gjakut virusi i merr atij jetën. Analizat treguan se edhe Teuta dhe fëmijët, që lindën tre vjet pas atij transfuzioni kishin të njëjtin virus. Në mikrofonin e DW, Teuta thotë: “Nuk është e lehtë të marrësh një përgjigje pozitive për testin e virusit HIV/Aids. Por njeriu brenda vetes gjen forca, gjen energji për ta konsideruar si një sfidë për të luftuar dhe përballuar atë.”

Prej shtatë vitesh ajo lufton për jetën e vet, të fëmijëve të saj dhe është mbështetje edhe për të prekur të tjere nga virusi. Të infektuar nga HIV/AIDS në Shqipëri ka disa qindra vetë. Statistikat zyrtare flasin për një trend të rritjes së tyre. “Në 4-5 vitet e fundit numri i rasteve të reja arrin nga 40- 60 çdo vit. Janë rreth 150, që janë në trajtimn e sipër. Numri i përgjithshëm arrin në 406 raste”, thotë Pëllumb Pipero, Drejtor i Drejtorisë për Politikat Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë

Por ky numër mund të mos pasqyrojë krejt të vërtetën e situatës në Shqipëri. Alban Ylli, mjek specialist në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se realiteti, që tregojnë shifrat, mund të jetë iluziv. “Fakti që në Shqipëri ka një numër jo të madh në raport me popullsinë të sëmurësh me virusin HIV/ AIDS mund të konsiderohet iluziv, sepse në komunitet mund të ketë më shumë të sëmurë sesa ata, që diagnostikohen dhe kapen.”

Stigmatizim, persekutim dhe përjashtim social.

Kjo do të thotë që të infektuarit ose nuk e dinë që kanë marrë virusin, ose kanë frikë të diagnostikohen. Në të dyja rastet kjo frikë u merr jetën dhe i bën një rrezik të madh potencial për infektimin e të tjerëve. Por frika e tyre ka për bazë mentalitetin dominues të shoqërisë shqiptare, që i stigmatizon të infektuarit me virusin famëkeq si të padëshërueshëm në komunitet.

“HIV/AIDS nuk është më një problem shëndetësor, sepse shkenca ka arritur shumë përpara, ka arritur ta frenojë dhe ta përmirësojë në mënyrë të dukshme jetën e të prekurve me medikamentet antiretrovirale, që përdoren edhe në Shqipëri. HIV/AIDS është një problem shoqëror. Kemi fakte, kur njerëzit përballen me braktisjen, me harresën, me largimin e familiarëve, të të afërmve. Vjen një moment që e shohin veten totalisht të braktisur”, thotë Teuta

Pjesa më vulnerabël e këtij mentaliteti janë padyshim fëmijët

“Në disa komunitete fëmijët me HIV/AIDS konsiderohen të rrezikshëm për fëmijët e tjerë në kopshte, apo shkolla. Por edhe këta fëmijë duhet të shkojnë në shkolla dhe të arsimohen. Jo vetëm sepse ata kanë të drejtat e tyre njerëzore. Por këtu ka edhe një element pragmatik: nëse këta fëmijë, apo të rriturit ,do të lihen mënjanë, atëherë do të shkaktohen shumë më tepër probleme për shoqërinë. Individët, që nuk e dinë që janë të prekur nga ky virus, apo ata që e dinë dhe janë të refuzuar nga shoqëria, janë shumë më të rrezikshëm për shoqërinë, sesa individët, që pranohen nga shoqëria dhe për të cilët shoqëria kujdeset.” thotë Alban Ylli.

Mospërjashtimi nga shoqëria dhe stabiliteti psikologjik janë mjekimi më i mirë për të infektuarit më HIV/AIDS thotë Dr. Pipero. "Pranimi në gjirin e shoqërisë, qoftë të mbartësve të këtij virusi, qoftë të të sëmurëve për t'ua lehtësuar sëmundjen është sfida kryesore. Mbi të gjitha ata kanë nevojë për një ,mjedis social, që i pranon dhe nuk i stigmatizon, sepse elementi psikologjik është shpesh më i rëndë sesa vetë sëmundja.”

Shoqëria civile dhe legjislacioni.

Përjashtimi dhe stigmatizimi i të sëmurëve me HIV/AIDS e ka burimin tek mungesa e informacionit për rrugët e transmetimit të tij. Përparimet e shkencës e kanë bërë sëmundjen tanimë jo vdekjeprurëse por kronike. Mjekimi me medikamentet më të fundit antiritrovirale jepen falas për të gjithë nga strukturat shëndetësore. Por ndryshimi i mentalitetit kërkon kohë dhe shumë përpjekje. Në krye të tyre qëndron shoqëria civile, organizata jo fitimprurëse “Shoqata Shqiptare e Personaveqë jetojnë me HIV/AIDS" e drejtuar nga Teuta. Kjo shoqatë u nderua sivjet në takimin ndërkombëtar të shoqatave simotra në Vjenë me urdhërin e” Fjongos së Kuqe”, simbol i ndërgjegjësimit ndërkombëtar dhe i solidaritetit me të prekurit nga ky virus. Synim i kësaj shoqate është mbështetja për t' u përballur me sëmundjen dhe me komunitetin. Teuta thotë se shoqata përçon me vendosmëri mesazhin:

“Luftoni për jetën tuaj, se meritoni të jetoni”

Shoqatës i vjen në ndihmë edhe plotësimi i legjislacionit shqiptar me një ligj të posaçëm të standarteve europiane për të drejtat e personave të prekur nga virusi HIV/AIDS dhe detyrimet e strukturave publike ndaj tyre. Shoqata po lufton që ligji të plotësohet me mekanizma, që do ta bëjnë atë të mos mbetet në letër, por të zbatohet në praktikë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica