Çfarë do të thotë lirimi i Mubarakut për Egjiptin
27 Mars 2017Ishte viti 2011 dhe në Egjipt ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Pas 18 ditësh protestash masive kundër Husni Mubarakut, sundimtari dha dorëheqjen - pas tri dekadash në pushtet. Protesta e rrugës e rrëzoi nga pushteti diktatorin shumëvjeçar.
Mubaraku përfundoi pas kangjellave të burgut: fillimisht në burgun famëkeq Al-Aqrab-Gefängnis, pastaj në burgun ushtarak shumë më të rehatshëm në lagjen e Kairos Maadi. Tani, pasi gjykatësi e shpalli të pafajshëm në procesin e fundit penal kundër tij, 88 vjeçari është kthyer, sipas avokatëve të tij, në vilën e tij në lagjen e të pasurve Heliopolis.
Mungesë gati e plotë përparimesh
Që prej arrestimit të tij, për të ndodhur kanë ndodhur shumë gjëra, por për të ndryshuar nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Egjipti ka pasur dy kryetarë shteti kalimtarë dhe dy presidentë: Mohammed Mursi nga Vëllazëria Myslimane dhe gjeneralin Abdel Fattah al-Sisi, i cili ngriti krye në një puç ushtarak në vitin 2013 dhe që vazhdon të jetë deri sot në pushtet.
Por ekonomia çalon, shpenzimet e jetesës janë në rritje - shumica e egjiptianëve janë të pakënaqur me rrjedhën e punëve. Shumë prej demonstruesve që e detyruan atëherë Mubarakun të japë dorëheqjen, sot ende ndodhen në burgjet e vendit, kurse kundërshtari i tyre i dikurshëm sot është i lirë.
Dekadat e qeverisë së Mubarakut për shumë vetë qenë një simbol i stanjacionit dhe i nepotizmit - në të gjithë vendin proceset e tij para gjyqit u ndoqën me vëmendje të madhe. Kurse lirimi i tij u bë shumë pa bujë.
Mendohet se në protestat e vitit 2011 u vranë rreth 800 vetë. Mubaraku në fillim u akuzua për vrasjen e 239 prej tyre, përpara se të shpallej përfundimisht i pafajshëm.
Nuk ka drejtësi
Shumë vetë e shohin lirimin e tij si dëshmi të mosndëshkimit në vend. "Këto janë lajme shumë të këqia për të gjitha ato familje, fëmijët e të cilave u vranë gjatë revolucionit", thotë Abdul Rahmad Gad nga organizata e të drejtave të njeriut "Egyptian Coordination for Rights and Freedoms" (ECRF). "Kjo e bën të qartë se edhe regjimi aktual nuk e kupton rëndësinë e fjalës drejtësi".
Mubarakun nuk e kanë liruar përfundimisht. Sepse kundër tij po zhvillohen edhe më tej hetime për korrupsion. Bëhet fjalë për para, të cilat mendohet se ai i ka marrë gjatë kohës në post nga sipërmarrja shtetërore Al-Ahram. Gjatë kohës që vazhdojnë hetimet, Mubaraku nuk lejohet të largohet nga vendi.
Gad nga ECRF thotë se lirimi i Mubarakut tregon sa të ngjashme janë regjimet. "Nga pikëpamja ideologjike ato ngjasojnë. Ato thonë se luftojnë terrorizmin, por në të vërtetë fjala është që të vështirësohen përpjekjet për demokraci dhe për të drejtat e njeriut. Kjo vërehet në ligjet e shumta represive të tre viteve të fundit", thotë Gad.
Nën Al-Sisin madje shtypja është shtuar në krahasim me Mubarakun: dhjetëra mijëra vetë ndodhen në burgje - shpesh madje në strehime jozyrtare, ku kushtet janë edhe më të vështira. Janë shtuar gjithashtu kritikat për përdorimin e torturave nga policia dhe ushtria.
Sipas politologes Nadine Sika e American University in Cairo, mungesa e protestës pas lirimit të Mubarakut është një dëshmi për masën e madhe të sterilitetit të jetës politike. "Ekonomia është një grumbull gërmadhash dhe kërcënimi nga terrorizmi është i gjithëpranishëm. Njerëzit duket se interesohen më shumë për mirëqënien e tyre të përditshme, se për lirimin e Mubarakut".
Kështu, edhe diskursi politik i viteve të fundit - të paktën ai i shtresave të sipërme - është përqendruar shumë te aktivistët e 2011-ës. Ata quhen shkaktarë të trazirave dhe madje "agjentë të Perëndimit". Madje edhe familja e Mubarakut trajtohet më pozitivisht në opinion. Një gjë është e sigurtë thotë politologia Sika: antipatia ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij po bie.