Çfarë importon Gjermania nga Rusia?
13 Prill 2022Pothuajse i gjithë debati rreth lidhjeve ekonomike të Gjermanisë me Rusinë, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, është fokusuar tek gazi dhe nafta. Me të drejtë, sepse Gjermania blen më shumë naftë dhe gaz nga Rusia se çdo vend tjetër evropian, që paraqet një burim shumë serioz të fitimeve për Rusinë. Por shumë kompani gjermane importojnë edhe mallra të tjera dhe lëndë të para nga Rusia, veçanërisht lëndë të para si nikeli, paladiumi, bakri dhe kromi.
Nikeli përdoret në prodhimin e çelikut, por është edhe një komponent i rëndësishëm për bateritë litium-jon të cilat nevojiten për makinat elektrike. Paladiumi është gjithashtu jetik për prodhuesit e makinave, pasi është një komponent i rëndësishëm në prodhimin e konvertuesve katalitikë, të cilët pastrojnë tymin e automjeteve me benzinë dhe automjeteve hibride.
Në vitin 2020, Rusia ishte ofruesi më i madh gjerman i nikelit të papërpunuar, duke përbërë 39% të furnizimit të vendit, sipas të dhënave të Observatorit të Kompleksitetit Ekonomik MIT.
Nga Rusia vijnë në Gjermani edhe rreth 25% të paladiumit dhe midis 15% dhe 20% të metaleve të rënda, kromi dhe kadmiumi, të cilat përdoren në një sërë fushash të industrisë. Nga Rusia vijnë edhe 11% e importeve të bakrit të rafinuar, siç ishte në vitin 2020, si dhe 10.9% të platinit dhe 8.5% të mineralit të hekurit.
Rëndësia e nikelit
Nikeli është veçanërisht i rëndësishëm. Partneri i dytë më i madh i importit të Gjermanisë për nikelin e papërpunuar në vitin 2020 ishte Holanda me 29%. Por Rusia është lider në treg. Kërkesa për nikel të pastër është rritur në veçanti pas shtimit të prodhimit të automjeteve elektrike.
Çmimet e nikelit të klasit të parë janë dyfishuar gjatë dy viteve të fundit. Ndërsa agresioni rus në Ukrainë ka shtuar frikën se Moska mund të vendoste një ndalim të eksportit. Në fillim të marsit çmimet arritën nivele rekord. Çmimet e nikelit janë rritur 400% vetëm në vitin 2022.
Eksporti dhe importi
Pasiguria mbi lëndët e para ruse do të vazhdojë të tronditë tregun. Disa analistë parashkojnë se vetëm kriza e nikelit do t'i shtojë të paktën 1000 dollarë (919 euro) kostot e një makine të re elektrike për konsumatorët. Por nuk preken vetëm prodhuesit e makinave. Dhe për këtë shkak, në vitin 2018, gjigandi gjerman i kimikateve BASF, bashkoi forcat me Norilsk Nickel të Rusisë, prodhuesin më të madh në botë të nikelit të rafinuar.
Megjithëse Moska nuk vendosi materiale të tilla si nikeli në listën e ndalimit të eksportit që lëshoi në mars, ekziston mundësia që sanksionet nga Moska ose nga Brukseli t'i japin fund rrjedhës së lëndëve të para të tilla në Evropë.
Të premten, BE njoftoi ndalimin e importit për disa produkte ruse duke përfshirë qymyr, avjar, dru, gomë, çimento dhe vodka. Megjithatë, nikeli dhe mallrat e tjera të eksportuara me shumicë në vende të tilla si Gjermania u lanë jashtë listës.
Por edhe nëse shitja e nikelit rus në Evropë nuk është ligjërisht e ndaluar, presioni mbi kompanitë gjermane për të ndërprerë lidhjet e biznesit me Rusinë vazhdon të rritet praktikisht në çdo sektor. Shumë ekspertë dhe drejtues biznesi kanë argumentuar se zhvillimi ekonomik i Gjermanisë në dekadat e fundit është ndërtuar kryesisht mbi bazën e furnizimin me energji të lirë nga Rusia. Ndërsa debatet serioze për ndalimin e plotë importit të energjisë ruse tregojnë se tani çdo gjë është në tavolinë dhe se çdogjë po trajtohet si mundësi kundërpërgjigjeje ndaj agresionit rus.