Çokollata të ëmbëla me shije të hidhur
10 Prill 2012Çdo qytetar gjerman harrxhon në vit 11 kg çokollatë, sipas statistikave. Në këtë mënyrë Gjermania është një nga tregjet më të rëndësishme të kakaos. 90 përqind e prodhimit botëror nxirret nga 5 deri 6 milionë fshatarë në Amerikën Latine, Azinë Jugore dhe Afrikë. Vetëm 70 përqind e kakaos që tregëtohet në botë prodhohet në Afrikën Perëndimore. Eksportuesit kryesorë të saj janë Bregu i Fildishtë, Gana, Nigeria, Kameruni dhe Togo.
Një studim i bërë në vitin 2009 në Universitetin Tulane në in New Orleans (SHBA) ka arritur në përfundimin së vetëm në Bregun e Fildishtë dhe në Ganë punojnë rreth 250 mijë fëmijë në mbjelljen e kakaos, shpesh në kushte që janë në kundërshtim me normat e Organizatës Botërore të Punës (ILO).
Përgjegjësia e Gjermanisë
"Gjermania ka përgjegjësi të veçantë si vendi i dytë në botë që përpunon kakaon," mendon ministrja gjermane e Bujqësisë Ilse Aigner (CSU). Mbi 10 përqind e prodhimit të kakaos shkon në Gjermani dhe pjesa më e madhe e saj vjen nga Afrika Perëndimore, konkretisht nga Bregu i Fildishtë.
"Forumi për kakao të qëndrueshme," kërkon që të nxisë kushte më të mira prodhimi. Forumi është ngritur me nismë të ministrisë së Bujqësisë dhe zhvillimit. Synimi i këtij grupi pune është të luftojë punën e fëmijëve.
Krah aspekteve etiko- sociale rol luajnë edhe interesat ekonomike. Në këtë mënyrë duhet të sigurohet furnizimi i industrisë gjermane të çokollatave dhe prodhimeve të ëmbëla me kakao të cilësisë së lartë.
Forumi nuk do të kryejë projekte të veta por do të lidhet me aktivitete të veçanta që do të ndihmojnë fshatarët e kakaos në zgjerimin e prodhimit të qëndrueshëm. Të qëndrueshëm në kuptimin ekonomik, ekologjik dhe social.
Shoqata gjermane e industrisë së prodhimeve të ëmbëla ndjek një detyrë konkrete të forumit, zgjerimin e masave për shkollimin e fshatarëve të kakaos, të cilët kanë firma të vetat atje. "Mungesa e dijeve dhe mungesa e produktivitetit janë problemi kryesor në prodhimin e kakaos", thotë Torben Erbrath, menaxher i shoqatës. Prodhimi i kakaos është me pretendime të mëdha dhe kërkon kushte të caktuara klimaterike. Me masa të qëllimshme mund të dyfishohet prodhimi dhe bashkë me të edhe të ardhurat për fshatarët e kakaos.
Por për këtë duhen edhe para, për t`u dhënë fshatarëve kredi për rritjen e prodhimit, përmirësimin e kualitetit dhe eficiencës dhe përmirësimin e infrastrukturës. Kjo shpesh mungon në zonat tropikale ku mbillet kakao. Në "Forumin për kakao të qëndrueshme" Torben Erbrath shikon një instrument për të financuar firmat e vogla dhe të mesme.
Çokollatat duhet të shtrenjtohen
Ekonomisti Friedel Hütz-Adams është ekspert i kakaos në organizatën jo qeveritare Südwind. Ai e vlerëson si pozitiv krijimin e forumit. Njëkohësisht ai mendon se diskutimet për çmimin nuk mund të anashkalohen: "Nëse shihen çmimet e inflacionit atëherë sheh se çmimi i kakaos është përgjysmuar në 50 vitet e fundit. Në vitin 1980 fshatarët merrnin 5 mijë dollarë amerikanë për ton kakao dhe 20 vjet më vonë vetëm 1200 dollarë. Një çokollatë në Gjermani kushton vetëm një të katërtën e asaj që kushtonte në vitin 1950."
Hütz-Adams bën për këtë përgjegjëse raportet e forcave në zinxhirin e furnizuesve, ku fshatarët nuk janë në gjendje të depërtojnë me interesat e tyre. Këtu ai ka parasysh koncernet e mëdha si Cargill ose Kraft Foods, që dominojnë industrinë e përpunumit dhe prodhimit të çokollatës duke patur kështu ndikim të madh në çmimin e kakaos.
Autor: Christina Ruta / Aida Cama
Redaktoi: