Arsimim për një shoqëri me shanse të barabarta për të gjithë
11 Shtator 2023Në vlerësimin e fundit nga testi PISA, cilësia e arsimit në Kosovë ka rezultuar me një brengë të konsiderueshme thuhet në shumë raporte që monitorojnë këtë fushë dhe si rrjedhojë paraqitja e nxënësve në këtë testim tregon që nuk kanë arritur nivelin minimal të aftësive për t'i shfrytëzuar njohuritë e tyre në jetë. Kosova renditet pothuaj se e fundit në këtë testim. Në anën tjetër në një situatë më të rënduar sa i përket arsimimit por edhe aspekteve të tjera sociale dhe ekonomike, janë pjesëtaret e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Avni Mustafa nga organizata joqeveritare Roma Versitas Kosovë, e cila prej disa vitesh punon për përmirësimin e gjendjes së arsimit për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë thotë, se gjendja me përfshirjen e tyre në shoqëri e në veçanti në procesin e mësuesisë nuk është në nivelin e kënaqshëm në të gjitha nivelet e shkollimit si nga ai parashkollor, arsimi fillor e deri në atë universitar.
Krijimi i mundësive të barabarta në arsim
Për dy dekada përpjekje e zhvillim të arsimit në Kosovë, pas luftës së fundit, në përditshmërinë e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian evidentohen ende çështje jo shumë të favorshme për shmangien e diskriminimit dhe krijimin e mundësive të barabarta në arsim.
Përfshirja e tyre në procesin e arsimit-edukimit në institucionet e dijes ende është një sfidë më vete. Si rrjedhojë është shqetësues suksesi jo i mirë i nxënësve të këtyre komuniteteve krahasuar me mesataren e suksesit të përgjithshëm të nxënësve të komuniteteve shumicë. Kjo mungesë e përfshirjes në arsim dhe rrjedhimisht arritje jo të duhura në shkollim së bashku me paragjykimet, diskriminimin dhe së fundi me disa raste të segregimit në shkollë kanë ndikuar direkt në cilësinë e jetës së tyre, thekson Avni Mustafa.
"Roma Versitas Kosova përmes projekteve të saj ka mbështetur me bursa, punë praktike dhe trajnimeve rreth 1000 studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë kjo me qëllimin e vetëm që të përmisojë gjendjen e arsimit për komunitetet në fjalë. Aktualisht për 3 vite me radhë 400 nxënëse të shkollave të mesme që në varësi të projekteve po i mbështesim me bursë, mentorim, tutorim e trajnime për avancime profesionale të tyre". - Avni Mustafa Drejtor në Roma Versitas Kosova.
Shoqëri diskriminuese
Shumica e komuniteteve jetojnë në një shoqëri diskriminuese dhe në margjina të shoqërisë kosovare. Jeta e tyre kryesisht jetohet në vendbanime me infrastrukturë të dobët dhe në një gjendje me kushte të rënduar në çdo sferë të jetës. Një gjendje e tillë me arsimimin dhe situatën e vështirë ekonomike ka reflektuar negativisht direkt edhe në mungesën e shkathtësive të caktuara për të fituar një vend pune dhe një gjendje më të mirë ekonomike.
Elizabeth Gowing për 15 vite ka punuar në shoqëri civile, si aktiviste kishte ardhur nga Britania e Madhe me angazhim vullnetar për të kontribuar në çështjet që sjellin mundësi të barabarta për komunitetet dhe gratë në Kosovë. Pas punës së saj në OJQ-në The Ideas Partnership, në 2 vitet e fundit është angazhuar si këshilltare e kryeministrit Kurti për çështjet e komuniteteve në Qeverinë e Kosovë. Nga perspektiva e zonjës Elisabeth Gowing në këto 2 dekada në fushën e arsimit thotë që ka pasur ndryshime të rëndësishme në arsim krahas viteve me parë.
"10 vite me parë ka pasur jo më shumë 8 ose 10 studentë nga rradhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Sot kur po flas para vetes kam listën e studenteve të komuniteteve, të cilët janë në universitete publike dhe numri i tyre është me qindra". Elizabeth Gowing – Këshilltare e kryeministrit Kurit në Qeverinë e Kosovës.
Bursa për nxënës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian
Qeveria e Kosovës në vitin akademik 2022-2023 ka ndarë buxhet për 100 bursa me vlerë 1000 euro për student kjo është bërë me anë të subvencioneve nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjithashtu janë ndërmarrë hapa të ndryshme nga qeveria dhe institucionet e saj drejt ndryshimeve në krijimin e mundësive të barabarta për komunitetet rom, ashkali dhe egjitpian. Çdo vit Ministria e Arsimit së bashku me organizata lokale dhe donatorë ndërkombëtarë mbështesin me 500-600 bursa për nxënës të shkollave të mesme nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Subdiskriminim tek vajzat
Bazuar në raporte të organizatave ndërkombëtare dhe në hulumtime të ndryshme, rezultatet në këto raporte tregojë se ka ndryshime të dukshme në vijueshmërinë dhe mosbraktisjen e shkollimit dhe dita ditës ndryshimet kanë filluar të ndodhin, po në përgjithësi mbetet shumë për të bërë në specifikat dhe temat që ballafaqohen me subdiskriminimin tek vajzat me problematikat si martesat e hershmedhe braktisja e shkollimit nga vajzat sidomos në zona të caktuara në Kosovës.
Denur Paqaku student PhD në Shkencat Politike në universitetin South East European University aktualisht i vetmi në Kosovë nga komuniteti Rom, i cili po studion në ketë gradë tregon për rëndësinë e shkollimit dhe domosdoshmërinë për ngritjen e pozitës së komuniteteve në shkollim dhe mirëqenie sociale. Aktualisht i angazhuar nëdisa programe dhe organizata ndërkombëtare,të cilat kanë në fokus zhvillimin e fushës së arsimit kosovar thekson nevojën për gjithëpërfshirje në të gjitha sistemet e shkollimit dhe në veçanti atë në universitete. Në Kosovë në shtetin më të ri multietnik, Romët, Ashkalit dhe Egjiptjanet si komunitete gëzojnë të drejtat në shumë fusha me të gjitha aktet ligjore,por në disa raste në praktikëzhvillimet janë me një ritëm më të vogël.
"Një ndër të drejtat që e gëzojnë komunitetet në përgjithësi në Kosovë është edhe shkollimi në gjuhën amtare në rastin e komunitetit Rom kjo e drejtë ende nuk është në nivelin e kënaqshëm dhe një e drejtë e tillë do të ndikonte në një shkollim më të mirë nga që ka shumë romë që në shtëpi e flasin gjuhën Rome " Denur Paqaku student PhD në Shkencat Politike SEEU
Në përgjithësi Romët me angazhim dhe mbështetje nga perspektivat e ndryshme do mund të ndryshojnë gjendjen e tyre përmes arsimimit dhe edukimit. Këta togfjalësh janë çelësi i suksesit dhe mundësive më të mira në shoqërinë dhe zhvillimin e gjithmbarshëm kosovar.
Shkruar nga Fatlum Kryezi
Fatlum Kryezi (29) është sociolog dhe gazetar. Ai vjen nga komuniteti rom në Prizren, Kosovë dhe ka studiuar sociologji dhe antropologji sociale në Prishtinë dhe në CEU në Budapest.