Olaf Scholz kancelari me mbështetjen më të vogël
8 Dhjetor 2023Shoqet dhe shokët socialdemokratë gjermanë, nuk kanë shumë për të festuar kur të mblidhen këtë fundjavë në Gjermani në kongresin e partisë së tyre në Berlin, i cili zgjat nga 8 deri më 10 dhjetor. Sipas sondazhit të fundit "Trendi Gjerman" (Deutschlandtrend), i cili bëhet rregullisht për shërbimin publik gjerman ARD, partia SPD e kancelarit Olaf Scholzaktualisht mund të llogarisë vetëm në 14 për qind të votave. Kjo është dy për qind më pak se në nëntor, e kjo është vlera më e ulët që nga qershori 2021.
Partnerët në qeveri, të Gjelbrit, kanë aktualisht 15 për qind (+1), ndërsa liberalët (FDP) janë nën pragun e kërkuar për futje në Bundestag, me vetëm katër për qind (+/-0).
Sa i përket opozitës, partitë kristiandemokrate dhe kristiansociale, CDU dhe CSU, do të merrnin aktualisht 32 për qind (+2), që është vlera më e lartë që nga marsi 2021. Ndërsa në vendin e dytë është Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 21 për qind (-1). E majta nuk do të futej në Bundestag, sepse do të fitonte vetëm tre për qind (-2).
Rënia e Olaf Scholzit
Vetëm 17 për qind e votuesve janë aktualisht të kënaqur me punën e qeverisë federale gjermane, që është një rekord i ri për nga numri i vogël i mbështetjes. 82 për qind e të anketuarve shprehin kritika.
Kancelari Scholz është në shënjestër të kritikave në veçanti: vetëm 20 për qind e të anketuarve janë aktualisht të kënaqur me punën e Olaf Scholzit. Kjo është vlera më e ulët për kancelarin federal, që nga fillimi i sondazheve të këtilla të Deutschlandtrend, në vitin 1997.
Gati çdo i dyti (48 përqind, që është një minus prej 16 në krahasim me prillin e vitit 2022) beson se Olaf Scholz po vepron si duhet. Ndërsa vetëm një e katërta e shohin atë aktualisht si një drejtues të mirë krizash (23 për qind; -14). Vetëm 12 për qind mendojnë se Scholzi ka aftëri të mira për të komunikuar në mënyrë bindëse (-15). Më në fund vetëm 27 për qind aktualisht besojnë se ai është personi i duhur në postin e kancelarit ( që është një rënie prej -20 për qind krahasuar me vitin 2022).
Arsyeja e kritikës?
SPD, të Gjelbrit dhe FDP kanë formuar qeverinë federale për dy vitesh. Ata kanë kaluar disa kriza, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë aq e thellë sa kriza e tanishme buxhetore.
Në mesin e nëntorit, Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues një vendim shumë të rëndësishëm të qeverisë. SPD, të Gjelbrit dhe FDP vendosën të riorientojnë 60 miliardë euro nga fondi për luftimin e pandemisë corona në fondin për mbrojtjen e klimës. Tani në buxhetin për vitin 2024 ka një mungesë prej 17 miliardë eurosh. Ka ide të shumta për dalje nga kjo situatë, prej kursimeve e deri tek rritja e tatimeve dhe marrja e borxheve të reja, por tani për tani nuk ka asnjë marrëveshje. Buxheti i vitit 2024 nuk do të mund të votohet gjatë vitit 2023.
Në këtë situatë, kancelari Scholz duhet të paraqitet para bashkëpartiakëve të tij në kongres, pa ndonjë zgjidhje. Po si mund të zgjidhet situata? Në këtë pyetje as qytetarët nuk kanë ndonjë përgjigje unike.
Pothuajse gjysma e votuesve (47 për qind) llogarisin në kursime në kosto, dhe në projekte e investime. Ndërsa 35 për qind në rishpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që do të mundësonte marrjen e borxheve të reja. Vetëm tetë për qind e qytetarëve janë për rritjen e tatimeve.
Mbështetësit e SPD (59 për qind) dhe të Gjelbërve (55 për qind) janë veçanërisht në favor të pezullimit të frenimit të borxhit dhe hapjen e mundësisë për borxhe të reja. Votuesit e CDU/CSU (58 për qind) dhe AfD (69 për qind) mbështesin masat e kursimeve. Ndërsa mbështetësit e FDP-së dhe të Majtës nuk prezantohen fare në këtë segment të sondazhit, sepse këto parti nuk do të futeshin fare në Bundestag.
Zvogëlimi i shpenzimeve sociale dhe ndihmave për Ukrainën?
Anketuesit kanë pyetur qytetarët se ku mund të kursehet, nëse nuk merren kredi të reja: 64 për qind e qytetarëve besojnë se ndihmat për qytetarët e papunë (Bürgergeld) duhet të reduktohen. Ndërsa 31 për qind janë kundër. Por gjermanët janë mjaft të hapur edhe për reduktimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën (54 për qind).
Në të kundërtën, kursimet në projektet për transformimin e klimës dhe ekonomisë (41 për qind), dhe veçanërisht për mbrojtjen bazë të fëmijëve (27 për qind), shihen me sy kritikë.
Edhe në këto fusha ka dallime të mëdha mes mbështetësve të partive politike. Votuesit e SPD dhe të Gjelbërve janë më shumë kundër shkurtimeve të këtilla.
Shumica e simpatizantëve të CDU/CSU mbështesin vetëm uljen e shpenzimeve për qytetarët e papunë, ndërsa mbështetësit e AfD mbështesin edhe uljen e ndihmës për Ukrainën dhe të fondeve për transformimin klimatik të ekonomisë, por jo edhe për zvogëlimin e mbrojtjes bazë të fëmijëve.
Klima: Gjermanët mendojnë se po bëjnë mjaftueshëm dhe se tani është radha e të tjerëve
Konferenca e 28-të e OKB-së për Klimën po mbahet aktualisht në Dubai. Pritshmëritë e qytetarëve gjermanë nga bashkëpunimi global në këtë fushë janë më të ulëta se në kontekstin e konferencave të mëparshme, në 2018 në Katovicë ose 2021 në Glasgou.
Vetëm dhjetë për qind e qytetarëve gjermanë janë aktualisht të bindur se komuniteti ndërkombëtar mund të përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike, ndërsa 86 për qind nuk e besojnë atë. Të anketuarit nuk janë vetëm skeptikë për shkak të shpeshtësisë së kushteve ekstreme të motit - gjermanët dyshojnë edhe në kontributin e vendeve të tjera.
Shumica e qytetarëve gjermanë kanë përshtypjen se Gjermania tashmë po bën shumë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe se vendet e tjera tani duhet të bëjnë më shumë (62 për qind). Shumica e gjermanëve ende i konsiderojnë të nevojshme kufizimet e stilit të jetesës (70 për qind). Por kjo shumicë nuk është më aq e madhe sa në vitin 2019.
Përgjegjësia për mbrojtjen e klimës i atribuohet kryesisht ekonomisë (61 për qind). Por vetëm 36 për qind (në vjeshtën e 2021 kishte 42 përqind) mendojnë se kostot mjedisore duhet të transferohen tek çmimet, për shembull përmes një takse CO2.
Në këtë sondazh të "Deutschlandtrend", të bërë në Isntituti infratest-dimap janë përfshirë në periudhën prej 4 deri 6 dhjetor 1.364 qytetarë të Gjermanisë.