BE: Ankesë në OBT kundër Kinës për keqtrajtimin e Lituanisë
29 Janar 2022Bashkimi Evropian njoftoi se ka paraqitur një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për sjelljen e Kinës ndaj vendit anëtar të BE-së, Lituanisë. Pekini e hodhi poshtë këtë ankesë si "të pabazë dhe jokonsistente".
"Paraqitja e ankesës pranë OBT-së nuk është një hap që ne e bëjmë lehtë," tha komisioneri i BE-së për Tregtinë, Valdis Dombrovskis. "Megjithatë pas përpjekjeve të përsëritura të dështuara për ta zgjidhur çështjen në mënyrë dypalëshe, ne nuk shohim rrugë tjetër përveçse të kërkojmë konsultime me OBT-në për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kinën."
Molla e sherrit - Tajvani
Çështja është pretendimi i Lituanisë për reagimet e ashpra të Kinës për vendimin e Vilniusit në korrik të vitit të kaluar për të lejuar përfaqësuesit nga Tajvani - të cilin Kina e konsideron si një territor rebel që i përket Kinës dhe jo si një shtet demokratik të vetëqeverisur – që të hapin një seli diplomatike në kryeqytetin e këtij vendi baltik.
Ky vendim i një prej vendeve më të vogla të BE-së, e zemëroi Kinën, dhe Pekini reagoi me shpresën se do ta detyronte Lituaninë të ndryshonte qëndrimin e saj.
Komisioni Evropian, i cili në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së, prezanton BE në rast konfliktesh pranë OBT-së në Gjenevë, tha se masat e Kinës përfshinin " refuzimin për të zhdoganuar mallrat lituaneze, refuzimin e kërkesave të Lituanisë për importim mallrash nga Kina dhe presion ndaj BE-së që kompanitë që operojnë jashtë shteteve të tjera anëtare të BE-së të heqin nga zinxhirët e tyre të furnizimit lëndët e para ose prodhimet nga Lituania."
Në nëntor Kina gjithashtu e uli nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Lituaninë dhe ndaloi lëshimin e vizave.
Kina paralajmëron BE-në të jetë e kujdesshme ndaj Lituanisë
Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Dombrovskis tha se BE e konsideron Kinën një "partner jetik", duke vënë në dukje se "ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie." Megjithatë, tha ai, "marrëdhëniet tona kërkojnë respekt të ndërsjellë". Dembovski shtoi se "BE është e vendosur të veprojë me shpejtësi dhe e bashkuar kundër masave që kërcënojnë integritetin e tregut tonë të brendshëm."
Masa të tilla kërcënuese përfshijnë presionin ndaj kompanive të tjera evropiane - si prodhuesit gjerman të pjesëve të automobilëve Continental - që të heqin partnerët lituanezë nga zinxhirët e tyre të furnizimit.
Ndërkohë Pekini u tall me akuzat për presion ekonomik. "Çështja midis Kinës dhe Lituanisë është një çështje politike, jo ekonomike," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.