Pistorius - i panjohur jashtë Gjermanisë, popullor në vend
17 Janar 2023Emri i Boris Pistorius (SPD) nuk ishte përmendur si kandidat për postin e ministrit të Mbrojtes pas dorëzimit të detyrës nga Christine Lambrecht (SPD). Policia, siguria e brendshme, kriminaliteti kibernetik, migracioni dhe sporti kanë qenë temat e ministrit të Brendshëm që nga viti 2013. Por juristi 62 vjeçar ka përvojë jo vetëm në drejtimin e një ministrie landi, ai sjell edhe një përvojë që është me siguri e kërkuar në Ministrinë Federale të Mbrojtjes: Boris Pistorius konsiderohet si zbatues i fortë dhe njeri i veprimit, cilësi që nevojiten me urgjencë për të rikuperuar dobësitë e Bundeswehrit. Pas sulmit rus në Ukrainë, kancelari Scholz premtoi 100 miliardë euro fond të posaçëm për ushtrinë. Me këtë duhet që Bundesëwehri të modernizohet, ushtria gjermane ankohet për pajisje të vjetëruara luftarake, ajo ka pak municion dhe shumë probleme personeli. E ngarkuara për mbrojtjen e Bundestagut, Eva Högl paraqiti një pamje të zymtë të trupës gjermane së fundmi dhe tha se nevojiten 300 miliardë euro për të aftësuar Bundeswehrin për të ardhmen.
Pak kohë për ambientim
Olaf Scholz ka vendosur për Pistorius edhe sepse ka besim, se ai e përvetëson shpejt një materie komplekse. Sepse e parë nga ana ushtarake kjo është fushë e panjohur për Pistorius. Veç kryerjes së shërbimit ushtarak në vitet 1980/81, ai nuk ka pasur shumë përvojë me ushtrinë. Përvojë ai ka me policinë. Në Saksoninë e Poshtme ai e ka ristrukturuar aparatin e sigurisë së landit, me shumë policë të rinj dhe idenë se policia duhet të jetë e pranishme për qytetarin në nevojë. Ai e sheh policinë si partnere komunikimi për shoqërinë, dhe shtyllë të rëndësishme të demokracisë. Këtu bënte pjesë edhe projekti për të mbajtur larg policisë përpjekjet e depërtimit të ekstremistëve të djathtë.
Ambicie në nivel federal politik
Pistorius është parë si politikan që ka parë përtej kufirit të landit sakson. "Përmbytja në Ahrtal, sulmi me shkelje të së drejtës ndërkombëtare i Putinit në Ukrainë kanë efekte për sigurinë e brendshme edhe në Gjermani e Saksoni të Poshtme -këto janë dy zhvillime, që e theksojnë këtë rëndësi", është shprehur ai së fundmi. Prej kohësh Pistorius është parë si politikan me ambicie edhe në federatë. Në vitin 2017, socialdemokrati ishte në kabinetin në hije të kandidatit Martin Schulz, në rast fitoreje ai mund të bëhej ministër i Brendshëm. Për këtë post ai u përmend edhe në vitin 2021 në kabinetin Scholz. Në vitin 2019, Pistorius kandidoi së bashku me Petra Köpping për postin e bashkëkryetarit të SPD-së dhe doli në garë edhe kundër Scholz. Në fund fituan Saskia Esken dhe Norbert-Walter Borjans.
Verbalisht sulmues dhe i qartë në deklarata
Me vendimin përBoris Pistorius, Scholz heq dorë nga linja e deritanishme që në kabinetin qeveritar burrat dhe gratë të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë. Tani burrat janë në shumicë. Pistorius është një tip tjetër nga Olaf Scholz. Verbalisht sulmues dhe i qartë në të shprehur. Ai ka studiuar juridik në Osnabrück dhe Münster. Pistorius është i ve dhe ka dy fëmjë. Në tetor 2016 u bë e njohur që ai është i lidhur me Doris Schröder-Kopf, ish-bashkëshorten e katërt të ish-kancelarit Gerhard Schröder. Por çifti aktualisht është i ndarë.
Pistorius njihet për humorin e tij. Një anekdotë mes qarqeve gazetareske: Para zgjedhjeve të vitit 2021 një reporter e pyeti Pistorius në sallën e Këshillit Federal, për një intervistë. Por reporteri e kishte ngatërruar Pistorius me Armin Laschet (CDU), që donte të bëhej kancelar gjerman. Pistorius nuk la të kuptohej asgjë dhe e bëri të qartë situatën pak para fillimit të intervistës live. Në fund të qeshurat kaluan edhe tek reporteri.