Besueshmëria e medias në kohën e Coronës
19 Prill 2020Edhe disa javë pas ndërprerjes së papritur të jetës prapë të shoqëron një ndjesi e çuditshme...sidomos në ditë, në të cilat pranvera me cicërimën e zogjve e aromën e luleve qëndron në kontrast të thellë me kërcënimin që na rrethon kudo. Ka gjëra, që nuk i kapim dot me shqisa. Kjo vlen si për ndryshimin e klimës, rrezatimin atomik, e aq më shumë për një pandemi. Gjërat mund të transmentohen përmes komunikimit, ka thënë sociologu Niklas Luhmann.
Edhe për virusin e Coronës informacionet i marrim nga mediat. Që jeta jonë brenda natës ndryshoi komplet, që miliona vetë do të dalin të papunë, që qindra mijëra vetë sëmuren e mijëra vdesin, këto për sa kohë nuk lidhen me ne apo të afërmit tanë - janë jashtë përjetimit tonë. Në vend të kësaj ne qëndrojmë në shtëpi e shohim pamje rrugësh bosh e njerëz me maska.
Me çfarë qëndrimi përballem me kërcënimin?
Për këtë arsye mediat fitojnë një rëndësi të veçantë. Jo vetëm pse ato informojnë për shifrat aktuale dhe kufizimet që vendosin qeveritë për qytetarët. Bëhet fjalë për më shumë. Nga ajo që ne marrim e filtrojmë si informacion nga raportimet mediatike apo bisedat me miqtë e situata personale ndërtohet edhe qëndrimi ynë ndaj pandemisë. Reagojmë me frikë, me panik apo e injorojmë rrezikun? Bëhemi depresivë apo kemi shpresë për ta përballuar situatën? Apo për ta formuluar me René Descartes - lexoj lajme për Coronën, pra ekzistoj!
Nuk të habit fakti që konsumi mediatik është rritur ndjeshëm. Transmentues informacioni si Deutsche Welle shënojnë shifra rekord në ofertat e tyre online. Madje edhe televizioni po përjeton një fazë rilindjeje. Por a jemi të sigurtë gjithmonë, që nuk kemi rënë pre e dezinformimit?
Lajme të rreme, si ai që përdorimi i hudhrës të mbron nga virusi Corona, përhapen miliona herë përmes mediave sociale dhe shërbimeve "Messenger” – gati një riprodhim viral i lajmeve të rreme të rrezikshme, që në rastin më të keq kushtojnë edhe jetë njerëzish. Facebook apo plataforma të tjera përpiqen ta kufizojnë këtë sa më shumë këto kohë. Por verifikuesit e fakteve nuk i dalin dot zot shpejtësisë së përhapjes së lajmeve të rreme.
Rilindja e mediave tradicionale
Në këtë situatë shumë vetë i rikthehen mediave tradicionale. Një studim i Reuters i publikuar së fundmi, ku u pyetën njerëz në Argjentinë, Gjermani, Korenë e Jugut, Spanjë, Britaninë e Madhe dhe SHBA, arrin në përfundimin se mediat tradicionale gëzojnë një besueshmëri më të madhe se mediat sociale. Në të njëjtën kohë njerëzit me nivel të ulët arsimor përdorin shumë më rrallë ofertat e tyre të informacionit dhe u besojnë mediave sociale dhe "Messenger”. Më shumë se mediat tradicionale, besimin e madh të njerëzve e gëzojnë ekspertët dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore. Por si i arrijnë ata njerëzit? Natyrisht përmes mediave.
Nga këto të dhëna del për ne gazetarët një përgjegjësi e madhe: Ne duhet të ndajmë shapin nga sheqeri në të dhënat, nganjëherë kontradiktore, të virologëve, ekonomistëve apo të ashtuquajturve ekspertë. E në fund duhet ta përgatisim këtë në mënyrë të kuptueshme e tërheqëse. Kjo është puna normale edhe jashtë kohës së krizës. Por tani duhet të përpunohet një mbiofertë me informacione me personel të reduktuar, që shpesh nuk ndodhet në redaksi, por në shtëpi në tavolinën e kuzhinës. Shumë media kanë probleme serioze, sepse u kanë rënë të ardhurat nga reklamat. Përveç kësaj shumë artikuj e video për virusin janë falas, që në kohë normale do të ofroheshin vetëm me pagesë. Edhe këto të ardhura mungojnë.
Kemi një situatë, ku oferta e mediave të lira edhe në shtetet demokratike është më e rëndësishme se kurrë më parë. E në të njëjtën kohë shumë media tradicionale duhet të luftojnë për mbijetesën. Por ne vetë mund të bëjmë diçka kundër kësaj: Që të paguajmë kur përdorim mediat. Ia vlen çmimi për shumicën e mediave cilësore.