1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miroslav Lajçak dhe Mathew Palmer në Kosovë

31 Maj 2021

Vizita në Kosovë e dy politikanëve perëndimorë, Miroslav Lajçak dhe Mathew Palmer bëhet vetëm pak javë para se të rinisë dialogu Kosovë-Serbi. Ajo shihet si përgatitje e takimit të parë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

https://p.dw.com/p/3uD2S
Mirosllav Lajcak und Albin Kurti
Takimi mes Miroslav Lajçak dhe Albin Kurtit, 02.03.2021Fotografi: Mirosllav Lajqak

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe Zëvendësndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, po qëndrojnë në Kosovë sot dhe nesër për të zhvilluar bisedime me udhëheqësit kryesorë të institucioneve dhe partive politike parlamentare. Kjo vizitë bëhet vetëm pak javë para se të rinisë dialogu Kosovë-Serbi, dhe shihet si përgatitje e takimit të parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë vizitës së tij dy ditore, Lajçak dhe Palmer do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë.

"Lajçak gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t'u drejtohet krerëve të Misioneve të BE-së. Për vizitën, Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak do t'i bashkohet Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-ve në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew A. Palmer”, thuhet në njoftim.

Matthew Palmer
Mathew PalmerFotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Mirosllav Lajçak dhe Mathew Palmer me 26 maj ishin takuar në Bruksel, ku ndër tjera kishin biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Më 18 prill ndërkaq, në darkën e shtruar në Bruksel për udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe kryeministri Kurti, kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, deklaroi atëherë, se ai shpreson që dialogu Kosovë-Serbi të rinisë nga mesi i muajit qershor. Për takimin ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, pati folur edhe vetë kryeministri Kurti, i cili tha se takimi me Vuçiqin mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor. Mediet në Prishtinë shkruajnë se vizita e përbashkët në Kosovë e të ngarkuarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Zëvendësndihmëssekretarit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, bëhet për të përcjellë mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.