1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moldavi: Goditje kundër një rrjeti pro rus

Vitalie Calugareanu
16 Mars 2023

Ndërkohë që politikanët pro rusë në Republikën e Moldavisë ia ulin rëndësinë zbulimit të një rrjeti që synonte destabilizimin e vendit, SHBA dhe BE i kushtojnë vëmendje të madhe këtij rasti.

https://p.dw.com/p/4Ok6z
Moldavi: Goditje kundër një rrjeti pro rus
Moldavi: Goditje kundër një rrjeti pro rus Fotografi: VLADISLAV CULIOMZA/REUTERS

Një ditë pas arrestimit të disa personave në kryeqytetin moldav Kishinau, të akuzuar për ushtrim dhune dhe nxitje trazirash gjatë protestave të zhvilluara kundër qeverisë proeuropiane të vendit, bëhet gjithnjë e më i qartë sfondi. Një rrjet i vërtetë mendohet të jetë trajnuar nga shërbimi i fshehtë rus, FSB,për të sulmuar policinë gjatë demostratave të organizuara nga opozita proruse dhe për të destabilizuar gjendjen në vend. Politikanë prorusë nuk e kanë pranuar versionin zyrtar të autoriteteve dhe përpiqen që të japin idenë, se ata janë ushtarë prorusë me pagesë, të rekrutuar nga qeveria moldave, për të justifikuar shtypjen e protestave të opozitës dhe për të përmirësuar imazhin properëndimor të presidentes, Maia Sandu.

Protestë e opozitës proruse në Moldavi
Protestë e opozitës proruse në Moldavi Fotografi: VLADISLAV CULIOMZA/REUTERS

Autoritetet moldave kanë muaj që flasin, edhe me institucionet ndërkombëtare, për planet e Rusisë, që të destabilizojë Republikën e Moldavisë, fqinje me Ukrainën, dhe që të bllokojë rrugën e saj europiane duke vendosur një qeveri besnike të Moskës. Sipas të dhënave të veta Kishinau ka zmbrasur deri tani të paktën tri përpjekje ruse, për të rrëzuar me luftë hibride rendin kushtetues të Moldavisë.

Tradhëtarët në bankën e të akuzuarve

Pas protestave të dhunshme të ditës së dielë (12.03.), ministrja e Brendshme e Moldavisë, Ana Revenco, tha se tradhëtarët e vendit duhet të japin shpejt llogari në gjyq, "pavarësisht nga sasia e parave dhe ndihma që kanë marrë, për të shkatërruar vendin”. Ministria e saj nuk do të lejojë, që kriminelë dhe tradhëtarë të fshehin synimet e dhunshme, duke i mbuluar me të drejtën e protestimit. Për të gjithë personat, që kanë sulmuar civilët dhe policët, kanë filluar hetimet. "Tradhëtia ndaj vendit është sjellja më e neveritshme e një njeriu që ka lindur dhe jeton këtu,” tha Revenco.

Pamje nga protestat e organizuara nga partia proruse, "Sor"
Pamje nga protestat e organizuara nga partia proruse, "Sor"Fotografi: Alexander Burakov/DW

Kryetari i parlamentit moldav, Igor Grosu tha se synimi i protestave organizuar nga partia proruse, "Sor", është ta verë vendin në dispozicion të Moskës, që ta fusë në luftën e Putinit kundër Ukrainës. Përpjekja e dështuar për të destabilizuar vendin është bërë "nga disa parti politike dhe nga disa grupe kriminele të lidhura me to”, të cilët shfrytëzojnë njerëzit me dobësi sociale, tha Grosu më tej, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e pjesëmarrësve të protesës ishin njerëz të varfër të provincës, të joshur me para dhe ushqime. 

Kohët e fundit autoritetet moldave kanë zbuluar thuajse përditë plane, që kanë pasur si synim të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e Moldavisë, tha kryetari i Parlamentit: "Synimi i këtyre aksioneve është rrëzimi i rendit kushtetues, ndryshimi i pushtetitlegjitim në Kishinau,” për të nxitur trazira dhe për të ndaluar procesin e integrimit europian. 

BE dhe SHBA mbështesin qeverinë moldave

Presidentja moldave, Maia Sandu, ka informuar me telefon presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, për gjendjen e sigurisë në Republikën e Moldavisë. Këtë javë pritet të zhvillohen debate në Parlamentin Europian për rreziqet me të cilat përballet Republika e Moldavisë. Në muajin prill, një plenium i Parlamentit Europian do të aprovojë një rezolutë për këtë temë. "Republika e Moldavisë është për sigurinë e Rumanisë dhe Bashkimit Europian, po aq e rëndësishme sa Ukraina,” thotë deputeti europian liberal rumun, Siegfried Muresan. Bashkimi Europian duhet të merret me këtë çështje dhe ta ndihmojë sa më shumë të jetë e mundur Republikën e Moldavisë, për të përballuar sfidat aktuale dhe për ta përgatitur vendin për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE, thotë Muresan.

Presidentja moldave, Maia Sandu
Presidentja moldave, Maia SanduFotografi: Aurel Obreja/AP Photo/picture alliance

Edhe SHBA ndjekin me vëmendje të madhe përpjekjet e Rusisë, për të rrezikuar paqen në Republikën e Moldavisë. Në fund të javës së kaluar, SHBA akuzoi Rusinë, se kërkon të destabilizojë këtë vend nëpërmjet protestave të qëllimshme në rrugë. "Rusia kërkon të dobësojë Republikën e Moldavisë, duke pasur si synim që të vendosë në Kishinau një administratë në favor të Moskës, tha drejtori i komunikimit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, John Kirby, duke folur për agjencinë e shtypit, AFP. Ai tha po ashtu se SHBA ka intensifikuar këmbimin e informacionit me Republikën e Moldavisë, për aktivitetet ruse në vend, në mënyrë që të mënjanojë rreziqet.

Pamje nga protestat e organizuara nga partia proruse, "Sor"
Pamje nga protestat e organizuara nga partia proruse, "Sor"Fotografi: Alexander Burakov/DW

Gjatë takimit të Presidentit amerikan, Joe Biden, me presidenten moldave, Maia Sandu, gjatë vizitës së tij në Varshavë, u fol për luftën ruse dhe ndihmën e SHBA për Republikën e Moldavisë. "Siç mendon edhe Maia Sandu, ne nuk shohim aktualisht kërcënim ushtarak direkt për Moldavinë, por po ashtu si Maia Sandu ne jemi të shqetësuar për përpjekjet e Rusisë, që të destabilizojë vendin,” tha Kirby. Në këtë frymë partneriteti me Moldavinë, SHBA, do t'i japë Republikës së Moldavisë, informacionet e veta, përfshirë edhe informacione të shërbimeve sekrete, që kanë lidhje me përpjekjet ruse për destabilizimin e Republikës së Moldavisë.

Në një deklaratë për shtyp të ambasadës amerikane në Kishinau, bëhet e ditur se sinjalet e alarmit, që presidentja Maia Sandu dërgon në hapësirën publike, janë "shqetësuese, megjithëse nuk janë patjetër të papritura për qytetarët moldavë, që dekada me radhë kanë qenë dëshmitarë të ndikimit keqdashës rus në Moldavi”.

Ambasada amerikane kërkoi madje që si popullsia ashtu edhe biznesmenët moldavë dhe investitorët e huaj, të kenë besim tek Republika e Moldavisë. Sepse ajo mban pozicionin e duhur. Ajo është në gjendje të zbatojë reformat, që janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, dhe për mbrojtjen e vendit kundër forcave të huaja, që kërkojnë të dëmtojnë Republikën e Moldavisë.

"Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me forcat e armatosura të Republikës së Moldavisë dhe do të ndjekim me vëmendje kërkesat e tyre. E rëndësishme është që të kihet një ushtri, që mbron neutralitetin e Republikës së Moldavisë, ankoruar në kushtetutë, dhe ne duam të gjejmë rrugët për të ndihmuar,” tha Kent D. Logsdon, ambasadori amerikan në Kishinau.