1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Monitorim i pikave kufitare Kosovë-Serbi për votimin

4 Prill 2022

Serbët e Kosovës votuan për zgjedhjet serbe në jug të Serbisë, pas moslejimit të mbajtjes së tyre nga qeveria e Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare vunë në dukje, se nuk pati ndonjë vonesë të konsiderueshme apo incidente

https://p.dw.com/p/49Pvb
Serbien Wahl 2022
Fotografi: Str/AFP

Grupe të organizuara qytetarësh serbë nga Kosova udhëtuan të dielën në disa qytete në jug të Serbisë për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, për shkak se qeveria në Prishtinë nuk lejoi që ato të mbahen edhe në Kosovë. Në pikat kufitare Kosovë-Serbi pati angazhim të shtuar të policisë së Kosovës, për të lehtësuar kalimet kufitare pa pengesa. Sipas policisë, drejt jugut të Serbisë u nisën dhjetëra autobusë me qytetarë serbë të Kosovës dhe po ashtu qindra automjete civile.

Serbët e Kosovës nuk patën mundësinë të votojnë në Kosovë, si në zgjedhjet e kaluara. Beogradi zyrtar nuk pranoi që t'i bëjë kërkesë zyrtare qeverisë së Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. E kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pa këtë kërkesë drejtuar qeverisë së tij, nuk do të lejohet organizimi i zgjedhjeve serbe. Edhe në fillim të këtij viti nuk u lejua mbajtja e referendimit të Serbisë në Kosovë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Kosova synoi që përmes zgjedhjeve të sigurojë njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia.

Serbien Wahl 2022
Fotografi: Str/AFP

Nuk pati pengesa të lëvizjes së lirë

Megjithë fluksin e qytetarëve serbë të Kosovës drejt Serbisë, qarkullimi në pikëkalimet e përbashkëta kufitare ndërmjet dy vendeve vijoi pa pengesa bëri të ditur shefi i misionit të BE-së për policinë dhe drejtësinë të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark. Ai shkoi në Twitter, se "situata është monitoruar në gjashtë pikëkalime kufitare, nga njësia e specializuar e EULEX-it dhe rezerva e saj e përbërë nga pjesëtarët e Forcës së Xhandarmërisë Europiane.

”Njësia e Specializuar Policore e EULEX-it dhe Rezerva e saj e përbërë nga pjesëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane janë duke e monitoruar situatën në të gjitha gjashtë pikëkalimet të përbashkëta kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga orët e para të mëngjesit të sotëm. Qarkullimi është duke vijuar pa ndonjë vonesë të konsiderueshme apo incidente”, shkroi Wigemark.

Rohde: Bashkëpunim i mirë i autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë

Pikën kryesore kufitare Kosovë-Serbi ku ishte edhe qarkullimi më i madh, e vizituan edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde së bashku me ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel. Ambasadori gjerman Rohde, shkroi në Twitter se "ka vërejtur një bashkëpunim të mirë mes autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë për t'ua mundësuar votuesve serbë të shkojnë për të votuar në Serbi”. "Së bashku me Ambasadoren e Francës në Kosovë vizituam pikën kufitare në Merdare. Ne atje pamë një bashkëpunim nga të dyja anët. Po ashtu Kosova kishte vepruar siç kishte premtuar duke rritur personelin në pikat përkatëse kufitare duke mundësuar që në mënyrë të qetë votuesit të shkojnë të votojnë atje”, shkroi ambasadori Jörn Rohde.

Kosovo I Deutscher Botschafter Jörn Rohde
Jörn RohdeFotografi: Deutsche Botschaft Kosovo

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se "qytetarët serbë të Kosovës sot kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit në komunat e Serbisë pa asnjë pengim nga ana e institucioneve apo qytetarëve të Kosovës”. Përmes llogarisë së tij në Facebook, Svecla tha se "organet e rendit me kapacitete të shtuara policore ishin në të gjitha komunat dhe në pikat kufitare për të mos krijuar pritje të gjata, dhe pa asnjë problem apo incident, po përmbyllet suksesshëm e diela”.

Osmani: Mijëra shqiptarëve iu mohua e drejta e votës në Serbi

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nga ana tjetër tha se mijëra shqiptarëve iu mohua e drejta e votës në Serbi. Presidentja Osmani tha se komuniteti ndërkombëtar "duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”. Në llogarinë e saj në Twitter, Osmani ka shprehur shqetësimin për mospjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë. "Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit me mjete administrative”, shkroi presidentja Vjosa Osmani. Politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës, ndëkaq, kanë thënë më herët se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi shqiptarët patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011. Në bazë të një vlerësimi të OSBE-së të bërë në vitin 2015, janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë të regjistruar në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Kombobild Kosovo Präsidentin Vjosa Osmani Serbien Preäsident Aleksandar Vucic

Sidoqoftë, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë në të kaluarën janë mbajtur, dhe janë lehtësuar nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE, që bënin grumbullimin e votave, ndërsa numërimi i tyre bëhet në Serbi. Por, kësaj radhe ato nuk u lejuan të mbahen nga qeveria e Kosovës. Ky vendim  ngjalli reagimin e vendeve të QUINT-tit, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania a Madhe, të cilat shprehën zhgënjimin e tyre për "vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga diplomatët perëndimorë”, për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ambasadorët e këtyre vendeve, por edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë thanë se "një qëndrim i tillë i qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet e vendeve perëndimore dhe do të cënojë aspiratat e saj evropiane.