1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260111 Abrüstungsbericht Bundesregierung

27 Janar 2011

Çarmatimi është një nga temat qendrore të politikës së jashtme të qeverisë gjermane. Qeveria gjermane e dokumenton këtë çdo vit me një raport vjetor. Të mërkurën u paraqit raporti për 2010-n.

https://p.dw.com/p/105dW
Ministri i Jashtëm gjerman. Guido WesterwelleFotografi: dapd

Barack Obama e do një gjë të tillë, Këshilli i Sigurimit po ashtu, edhe qeveria gjermane do t'i krijojë kushtet që të mos ketë më armë bërthamore në botë. Armatimi dhe kontrolli i armatimit janë për ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ndër detyrat e rëndësishme të njerëzimit. Ai është optimist për të ardhmen:

"Dhjetëvjeçarin e kaluar kemi humbur shumë kohë për temën e çarmatimit. Sot shohim shanse të reja për të, për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve bërthamore. Unë mbetem tek vlerësimi im: Çarmatimi dhe mospërhapja e armëve bërthamore nuk janë më pak të rëndësishme se mbrojtja e klimës për shembull."

Gjërat po lëvizin për mirë. Qeveria gjermane angazhohet kundër minave tokësore dhe municionit dispersiv, mbështet iniciativat e çarmatimit në Irak dhe angazhohet që armët e kalibrit të vogël të mos bien në duar të gabuara.

Optimizëm për një të ardhme pa armë bërthamore

Mesazhi i ministrit të Jashtëm gjerman është: Bota ndodhet në rrugën e duhur për t'u bërë më e sigurtë, për këtë kontribuon edhe qeveria gjermane. Westerwellen e gëzon fakti që SHBA dhe Rusia e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për çarmatimin dhe kanë rënë në ujdi për uljen e numrit të raketave nukleare të stacionuara në shtatë vitet e ardhshme.

"Fakti që marrëveshja START u ratifikua në SHBA dhe tanimë edhe në Moskë, tregon që njerëzimi e ka kuptuar sfidën e çarmatimit, madje këtë e kanë kuptuar edhe ata faktorë që duhet të veprojnë."

Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Werner Hoyer ishte ai që paraqiti raportin e çarmatimit për deputetët e Bundestagut.

"Çarmatimi dhe kontrolli i armatimit mundën të përcaktoheshin në 2010-n si pjesë qendrore e konceptit strategjik të NATO-s. Detyrimi i ri strategjik - pra krijimi i kushteve për një botë pa armë bërthamore - ka qenë për ne një sinjal i rëndësishëm për suksesin e negociatave në të ardhmen."

Kritikat e opozitës gjermane

Viti 2010 ka qenë një vit i mirë për çarmatimin, mendon ministri i Shtetit. Por opozita mendon se konkretisht është bërë pak. Tanja Keul e Të Gjelbërve: "Kur ju angazhoheni me kaq përkushtim për çarmatimin, atëherë unë kur shoh buxhetin pyes veten sigurisht, si është e mundur që sektori për çarmatimin, kontrollin dhe bashkëpunimin për mospërhapjen e armëve bërthamore është shkurtuar me një të tretën, nga 60 milionë në 40 milionë euro. Kjo nuk është e kuptueshme për mua."

Fraksioni i Majtë kritikon faktin që ende në Gjermani ndodhen të stacionuara 20 raketa atomare amerikane, megjithëse në marrëveshjen e koalicionit është përcaktuar qartë tërheqja e tyre.

Autor: Heiner Kiesel/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani