1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140711 Papstbesuch Erfurt

20 Shtator 2011

Gjatë vizitës së tij në Gjermani (22-25.9) Papa Benedikti i XVI-të do të ndalojë edhe në dioqezën e Erfurtit. Për shumë vëzhgues vizita prej 25 orësh në Turingji është pikërëndësa e vërtetë e udhëtimit të Papës.

https://p.dw.com/p/12ca4
Manastiri i Augustinëve në Erfurt - këtu pati jetuar e studiuar murgu Marthin Luther nga 1505 - 1511.
Manastiri i Augustinëve në Erfurt - këtu pati jetuar e studiuar murgu Marthin Luther nga 1505 - 1511.Fotografi: DW
Erfurt: Lutherzelle im Dhoma e Lutherit në manastirin e Augustinëve.
Dhoma e Lutherit në manastirin e Augustinëve.Fotografi: DW

Para reth 400 vjetësh me siguri që asnjë Papë nuk do të kishte guxuar të shkonte në zemrën e lëvizjes reformatore. Një gjë kishte arritur murgu katolik Martin Luther me reformimin në vitin 1517: ai i kishte treguar njerëzve të kohës së tij lirinë e ungjillit. Nga pikëpamja e tij ai eliminoi çdo peshë të tepërt teologjike dhe tradicionale, që shtrembëronte vështrimin në thelbin e besimit. Vetëm përmes besimit njeriu mund të jetë i pranueshëm në sytë e Perëndisë, vetëm mëshira e Perëndisë bën që njeriu të kapërcejë sprovat e tij, vetëm Bibla përcakton krititeret e besimit, kjo ishte kredoja e ish-murgut augustin. Papa e quajti Lutherin asokohe madje Antikrisht.

Kohë të tjera 

„Tani është bërë realitet. Unë gëzohem vërtet, që Papa viziton edhe landet e reja dhe besoj se vizita e tij në Erfurt, në Turingji, vlen për të gjitha landet e reja,“ thotë ipeshkvi i dioqezës së Erfurtit, Joachim Wanke. 70-vjeçari e drejton dioqezën që prej rithemelimit në vitin 1994.

Mirëpo njerëzit në landet e reja federale kanë të bëjnë gjithmonë e më pak me besimin e krishterë. Arsyeja: një rënie masive e pjesëmarrjes së anëtarëve të kishës në veprimtaritë e jetës kishtare.

Momunent përkujtimor për Marthin Lutherin.
Momunent përkujtimor për Marthin Lutherin në Erfurt.Fotografi: DW

Para së gjithash 40 vjet ideologji komuniste dhe 12 vjet ideologji nacionalsocialiste kanë lënë në këtë drejtim gjurmë të qarta. Vetëm rreth një ndër katër gjermano-lindorë është anëtar i një kishe. Katolikët në Turingji nuk përbëjnë më shumë se 10 për qind. Përballë kësaj gjendjeje për ipeshkvin është e qartë:

"Një vizitë e Papës këtu nuk mund të ndryshojë gjëra thelbësore. Pa dyshim se ka hyrë në vetëdije fakti, që kjo është një ngjarje, e cila ndodh vetëm një herë, e cila nuk do të përsëritet aq shpejt. Papa është një nga personalitet e opinionit botëror. Me gjasa një vizitë e Papës nuk do të ndodhë për disa qindra vjet. Prandaj kjo është një pritje që karakterizohet nga kureshtja“.

Vizita e Papës nuk i entuziasmon të gjithë në Erfurt

Sidoqoftë vetëm tek një pakicë. Fare pak kalimtarë donin të shpreheshin gjatë një sondazhi në sheshin e katedrales së Erfurtit në lidhje me vizitën e Papës.

„Mua më intereson relativisht pak, sepse unë nuk jam besimtar dhe Kishën Katolike nuk e konsideroj patjetër aq të mirë. Unë nuk jam tipi i përkrahësit të fesë“ - thotë një i ri.

„Ja që për qytetin e Erfurtit është diçka e shkëlqyeshme, por mua nuk më itereson dhe aq, sepse nuk kam ndonjë konsideratë kushedi për këtë formë feje, për mua është tepër konservatore" - shprehet një adoleshent.

Ipeshkvi Joachim Wanke
Ipeshkvi Joachim WankeFotografi: DW

„Për mua s'ka pse vjen, s'më duhet, dhe as s'më sjell ndonjë gjë“ - thotë një i moshuar.

"Kisha duhet të tregojë horizontin e Perëndisë!"

Duke marrë parasysh largimin gjithnjë e më të prekshëm prej Kishës, thotë ipeshkvi Joachim Wanke, në dioqezën e Erfurtit mesazhi i krishterë është e nevojshme që të thuhet gërmë për gërmë në gjuhën e Gjermanisë Qendrore.

"Në një kështjellë baroke ka nganjëherë salla pasqyrash. Kur i mbyll të gjitha dyert dhe dritaret sheh vetëm veten. Ky është për mua një imazh, pra që në kohët e sotme shpesh nuk kuptohet se pas pasqyrave të cilat pasqyrojnë vazhdimisht realitetin tonë, mund të ketë një tjetër horizont. Dhe pikërisht këtu e shoh detyrën themelore të Kishës dhe mesazhit kishtar: të hapë të gjitha dyert dhe dritaret drejt horizontit të Perëndisë."

Dhe për këtë mund të sjellë motim të ri vizita e Papës Benedikti i XVI. Me gjithë rezervat e erfurtasve, sheshi para Katedrales së Marisë dhe Kishës Severi do të jenë më 24 shtator, kur pontifeksi të kremtojë eukaristinë. 30.000 besimtarë pritet të jenë të pranishëm. Shumë më tepër mund të jenë një ditë më parë në Etzelsbach. Kjo enklavë e vetme katolike në landet federale lindore e pret me padurim vizitën. Mirëpo pika kulmore ekumenike e kësaj vizite të Papës në Gjermani do të zhvillohet në kryeqytetin e landit, Erfurt :një takim me përfaqësuesit e Këshillit të Kishës Evangjelike gjermane.

Autor: Klaus Krämer / E. Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj