1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritjet për rritjen ekonomike në Gjermani vazhdojnë të ulen

24 Tetor 2024

Pritet që ekonomia globale të rritet pak më shumë se tre për qind këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Por Gjermania prapë është në recesion. Pse?

https://p.dw.com/p/4m8Nh
Pierre-Olivier Gourincha flet para gazetarëve
Pierre-Olivier GourinchaFotografi: Mandel Ngan/AFP

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) nuk sheh ndonjë ndryshim për dobësimin e ekonomisë gjermane.  Në vitin e ardhshëm, prodhimi ekonomik gjerman do të rritet me vetëm 0,8 për qind, që është 0,5 pikë përqindjeje më pak se sa ishte parashikuar në korrik, sipas të dhënave nga parashikimi i fundit i FMN-së.

Rënie e çmimeve të pasurive të paluajtshme

Për vitin aktual 2024, FMN parashikon rritjen më të dobët për Gjermaninë midis vendeve kryesore industriale (G7). FMN-ja tani pret rritje prej zero për qind, që është 0.2 pikë më pak se parashikimi në korrik. Sipas parashikimit, Gjermania duhet të jetë në fund vitin e ardhshëm së bashku me Italinë.

"Gjermania do të rëndohet nga problemet me konsolidimin e buxhetit dhe një rënie e madhe e çmimeve të pasurive të paluajtshme", thotë parashikimi i FMN-së, i cili ka kritikuar prej kohësh problemet strukturore në Gjermani si mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Edhe vetëpërmbajtja e konsumatorëve në shpenzime reflektohet në këtë gjendje të përgjithshme.

Punëtorët e huaj në Gjermani në një fabrikë të Deimler
Punëtorët e huajFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Qeveria federale pret rritje ekonomike vitin e ardhshëm

Qeveria gjermane madje llogarit me një recesion këtë vit, por është më optimiste se FMN-ja për rritjen ekonomike në vitin e ardhshëm. Sipas informacioneve të fundit, qeveria pret në vitin 2025 një rritje prej 1,1 për qind. I ngjashëm është edhe parashikimi i publikuar në fund të shtatorit nga organizata e shteteve më të industrializuara, OECD, e cila supozon rritje ekonomike prej 1,0 për qind.

Perspektiva e FMN-së për ekonominë globale është disi më e mirë – por jo tepër e mirë. Pritet një rritje prej 3,2 për qind si këtë vit ashtu edhe vitin e ardhshëm. FMN-ja e quan parashikimin global "të qëndrueshëm, por jo shumë të madh" dhe paralajmëron për pasiguri dhe rreziqe.

Problemet në Eurozonë

India, Kina dhe SHBA vazhdojnë të jenë nxitësit e rritjes së ekonomisë globale. Perspektiva për Shtetet e Bashkuara pak para zgjedhjeve presidenciale është më e mirë se sa pritej më parë. Nga ana tjetër, Eurozona është vlerësuar më keq, për të cilën në radhë të parë, por jo vetëm, është përgjegjëse Gjermania. Për Francën, ekonominë e dytë më të madhe në euro, FMN uli parashikimin e saj të rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm me 0,2 pikë në 1,1 për qind. Sipas ekspertëve, Italia, ashtu si Gjermania, vuan nga "dobësia e vazhdueshme në industri”.

FMN sheh një ulje të inflacionit

Problemi më i madh i ekonomisë globale kohët e fundit është inflacioni i lartë. Por gjendja ka ndryshuar. "Beteja globale kundër inflacionit duket se është fituar kryesisht," tha kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourincha. Kulmi i inflacionit u arrit në tremujorin e tretë të 2022 me 9.4 për qind.

 Pierre-Olivier Gourincha flet para gazetarëve, për gjendjen në Gjermani
Pierre-Olivier Gourincha jep shpjegime jo të mira për GjermaninëFotografi: Mandel Ngan/AFP

Në fund të vitit të ardhshëm inflacioni duhet të jetë 3,5 për qind. Sipas tij, inflacioni është pak nën mesataren e viteve para pandemisë së koronës. Kjo hap hapësirë ​​për ulje të normave të interesit. Sipas tij, gjendja është më e mirë në vendet e industrializuara sesa në vendet në zhvillim. Gjithashtu, çmimet e shërbimeve janë pothuajse dy herë më të larta se para krizës së shkaktuar nga virusi korona.

FMNja përmendi si rreziqe konfliktet gjeopolitike si ato në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Sipas FMN-së, pasiguria është ende e lartë. "Tani është koha për të stabilizuar dinamikën e borxhit dhe për të rindërtuar shtresat mbrojtëse financiare," tha Gourincha.