010610 UN Sicherheitsrat Gaza
1 Qershor 2010"Kjo është një ditë e zezë në historinë e njerëzimit. Me këtë kufiri mes terroristëve dhe shtetit është fshirë" - deklaroi ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu. Me kërkesën e vendit të tij është mbajtur në Nju Jork një seancë e posaçme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kushtuar aksioneve ushtarake izraelite kundër konvojit ndërkombëtar të ndihmave për Rripin e Gazës, ku u vranë të paktën nëntë aktivistë pro-palestinezë. Anija, në të cilën ishin ata, ka udhëtuar nën flamurin e Turqisë dhe ishte pjesë e konvojit, ku ndër tjera kishte edhe parlamentarë të vendeve të ndryshme dhe dhjetë pasagjerë gjermanë. "Ndërhyrja është e barabartë me piraterinë, është një vrasje e kryer prej shtetit. Me këtë Izraeli e ka humbur të drejtën të jetë pjesë e organizatës botërore", deklaroi ministri i Jashtëm turk.
KS: Hetim i pavarur për ngjarjen
Shumica e 15 anëtarëve të KS kanë kërkuar një hetim të pavarur të kësaj ngjarjeje, po ashtu shumë anëtarë të KS kanë mbështetur kërkesën që Izrali t'i japë fund bllokadës trevjeçare të Rripit të Gazës. "Gjakderdhja ka mundur të evitohet, sikur Izreali t'i përgjigjej kërkesave të përsëritura që të 'përfundojë bllokadën kontroproduktive dhe të papranueshme të Rripit të Gazës'" - deklaroi Sekretari për çështje politike i OKB-së, Oscar Fernandez Tarranco.
Ndërsa zëvendësambasadori izrealit në OKB, Daniel Carmon u shpreh: "Çdo ditë në Rripin e Gazës futen mallra të shumta. Atje nuk ka krizë humanitare". Konvoji i anijeve, sipas tij, nuk kishte mision humanitar. Përkundrazi sipas Carmon: "Këta njerëz në mënyrë cinike kanë përdorur maskën e ndihmësve humanitarë për të dërguar një mesazh urrejtjeje. Pa dyshim, ushtarët izraelitë kanë vepruar në vetëmbrojtje."
Qëndrim i kujdesshëm i amerikanëve
Zëvendësambasadori amerikan, Alejandro Wolf i përzgjodhi fjalët me shumë kujdes, sepse SHBA-ja është një partner i fuqishëm i Izraelit në KS. Wolf kërkoi nga qeveria izraelite një sqarim të shpejtë të ngjarjes, por kritikoi veprimin e flotës së ndihmave. "Ekzistojnë mekanizma dhe rrugë për të dërguar ndihma në Gazë, që çojnë përmes një limani izralit e më pas përmes rrugës tokësore. Rruga direkte nuk është e duhur dhe e përgjegjshme dhe me siguri jo efektive, në rrethanat e tanishme".
Vëzhguesi palestinezë në OKB, Rijad Mansur, e quajti këtë ndërhyrje të forcave izrealite si krim lufte. Ndërsa Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon u tregua i shokuar me këtë ngjarje dhe e dënoi dhunën. Bani ka kërkuar një sqarim të përgjithshëm të rrethanave se si ka mundur të ndodhë një gjakderdhje e tillë.
Autor: Lena Bodwein/Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi