1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rikthehet “Lufta e Ftohtë”?

8 Dhjetor 2011

Rusia ka deklaruar se do të pozicionojë raketat që kanë objektiv Europën, si përgjigje ndaj planeve të NATO-s për të instaluar sistemin e mbrojtjes nga raketat në Europën Lindore.

https://p.dw.com/p/13OnH
Këshilli NATO Rusi, Bruksel
Këshilli NATO Rusi, BrukselFotografi: dapd

Tema kyresore në axhendën e ministrave të jashtëm të NATO-s në takimin e Brukselit është një rishikim i disa çështjeve që u diskutuan në konferencën për Afghanistanin në Bonn, në fillim të kësaj jave. Misioni ushtarak atje është planifikuar të përfundojë në fund të vitit 2014, por kjo nuk do të thotë që NATO do të largohet tërësisht nga Afghanistani.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusssen u rikujtoi ministrave premtimin e dhënë në konferencën për Afghanistanin. "Komuniteti ndërkombëtar theksoi përfshirjen e tij afatgjatë në Afghanistan në konferencën e Bonn-it. NATO do të vazhdojë të japë kontributin e tij të plotë. Ne do të vleresëojm se si mund të ofrojmë mbështetje pas përfundimit të misionit në vitin 2014, "tha ai.

Kujtime nga Lufta e Ftohtë

Përqëndrimi tek çështja e Afghanistanit avulloi shpejt, pasi Moska zyrtare një ditë para takimit të NATO-s tha se do të vendoste raketa në enklavën e saj balltike të Kaliningradit si përgjigje ndaj planeve të NATO-s, për të instaluar një sistem mbrojtjes nga raketat në Europën Lindore.

Për Rasmussen, ky veprim nuk është asgjë tjetër veçse harxhim parash. Ai tha sa se sistemi mbrojtës i raketave nuk ka si objektiv Rusinë. Por Aleanca varet nga Rusia për rrugët e ndihmës drejt Afghanistanit.

Mund të jetë kjo një “garë”? Ministri i Jashtëm norvegjez Jonas Gahr Störe e kundërshton këtë sugjerim. “Unë mendoj se palët nuk duhet të debatojnë për çështje që nuk iu përkasin drejtpërdrejt. Është në interesin e Rusisë dhe NATO-s që operacioni ndërkombëtar në Afghanistan të vazhdojë,” tha ai.

Disa nga ministrat e NATO-s kishin deklaruar para mbledhjes se ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, do të ishte në Bruksel për sistemin e mbrojtjes ndaj raketave, por pas njoftimit nga Rusia gjërat u bënë më të qarta.

Sergej Lavrov, ministri i Jashtëm rus
Sergej Lavrov, ministri i Jashtëm rusFotografi: dapd

“Gara e armatimit”

Të Mërkurën, Shefi i Forcave të Armatosura Ruse, Gjenerali Nikolai Makarov, deklaroi se vendi i tij po “vihet nën presion” në një garë armatimi kundër mburojës së NATO-s.

Dmitry Rogozin, përfaqësuesi i Rusisë në NATO, tha se Moska mund të reduktojë operacionin e saj në Afghanistan, si pasojë e shqetësimeve se marrëveshja për sistemin e mbrojtjes ndaj rakteva nuk është respektuar.

Sidoqoftë Rasmussen, hodhi poshtë sugjerimin e Rogozin duke e cilësuar si “një kërcënim bosh”. Ai tha se suksesi në Afghanistan është në interesin e vetë Moskës.

Uashingtoni, përkrahësi kryesor i mbrojtjes nga raketat, argumenton se sistemi ka për qëllim kundërvënien në rast të një sulmi të mundshëm nga Irani dhe në asnjë mënyrë objektiv nuk është Rusia.

Kosova nuk gjen qetësi

Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe Kosova dhe misioni i paqeruajtjes atje.

Ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, edhe njëherë dënoi sulmet e serbëve mbi ushtarët e KFOR-it në veriun e Kosovës në muajin Maj, mes të cilëve u plagosën edhe disa ushtarë gjermanë.

Westerwelle tha se NATO pret “që sulme të tilla të mos përsëriten, por mbi të gjitha politikanët në rajon duhet të bëjnë gjithëçka për të sigurar se situata të tilla të mos përsëriten sërish.”

“Kur ushtarët tanë sulmohen, atëherë jemi sulmuar edhe ne. Kjo gjë nuk mund të tolerohet,” tha Westerwelle.

Nuk do të ketë reduktim trupash

Në një kohë që dhuna është ende e pranishmë në veriun e Kosovës Rasmussen tha se NATO nuk do të reduktojë numrin e trupave të KFOR me gjysëm e tyre, ashtu siç ishte parashikuar të ndodhte në muajin Shkurt, por rreth 6000 ushtarë do të vazhdojnë të qendrojnë atje.

Përkundër të gjithë pengesave, Rasmusen premtoi se do të angazhohej për të ndihmuar të gjithë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për t'u integruar në strukturat perëndimore. “Ne jemi shumë të përkushtuar në integrimin Euro- Atlantik të të gjithë vendeve në rajon, por kjo kërkon më shumë reforma demokratike dhe këto reforma duhet të bëhen realitet.”

Statusi i kandidatit për në BE i Serbisë?

Vërejtjet e tij mund të lexohen si një rekomandimin indirekt për Bashkimin Europian për t'i dhënë statusin e kandidatit të BE-së Serbisë, për të cilin liderët e BE duhet të vendosin në takimin e së premtes.

Kryeministri i Luksemburgut, Jean Asselborn, shkoi edhe më tej në deklaratat e tij. Ai tha se duke i dhënë Serbisë statusin e kandidatit do të ishte në interes jo vetëm të Serbisë, por edhe të NATO-s dhe BE. “Unë besoj se nuk ka zgjidhje tjetër. Nuk dëshriojmë që tendencat nacionaliste të mbizotërojnë në Serbi dhe konflikti me Kosovën të bëhet më shumë intensiv ", tha Asselborn.

Komentet e Asselborn janë në kontrast me ato të Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila pas sulmeve të Nëntorit tha se Serbia nuk ishte ende gati për të nisur bisedimet me Bashkimin Europian.

Autor: Christoph Hasselbach/ Amarildo Topi

Redaktoi: Aida Cama