Schallenberg: Rusia sheh edhe nga Ballkani Perëndimor
6 Prill 2022Në një konferencë donatorësh të organizuar në Berlin (05.04.) për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, por që ka pritur deri tani 370.000 refugjatë, ministri i Jashtem austriak, Alexander Schallenberg është shprehur edhe për Ballkanin Perëndimor. Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor, dhe Republika e Moldavisë, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm austriak, shkruan agjencia Reuters.
Schallenberg kërkoi nga BE që të çelë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. "Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze", tha Schallenberg. Por presidenca franceze merr fund në qershor.
Po ashtu ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka kërkuar që të liberalizohen vizat sa më shpejt me Kosovën. Kosova edhe Bosnje-Hercegovina duhet të marrin po ashtu një perspektivë anëtarësimi. Bëhet fjalë nëse këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të mbeten në rrugën europiane të demokracisë e lirisë apo jo, tha Schallenberg duke kujtuar influencën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.
BE nuk duhet të harrojë, se procese të mëparshme anëtarësimi kanë çuar në forcimin e zhvillimeve demokratike tek vendet e sotme anëtare, tha Schallenberg. "Pa anëtarësimin në BE, vendet europianolindore sot ndoshta do të ishin në një gjendje tjetër edhe më të vështirë", u shpreh Schallneberg, duke pasur parasysh Rusinë.
la/ag